Maqedoni

Bisedimet për Qeverinë e re, hapet çështja e resorëve dhe kuadrove

23.05.2017 17:09

Bisedimet për parimet dhe mënyrën e funksionimit të qeverisë së re po përmbyllen, ndërkaq hapet çështja e resorëve dhe kuadrove që do të përbëjnë kabinetin qeveritar...

Në parim të gjitha partitë kanë rënë dakord që ministrat e rinj duhet të jenë figura të pastra, të papërfshirë në mega skandalin e përgjimeve si dhe njerëz të përgatitur dhe të përgjegjshëm për të ecur proceset përpara. 
 
Zëdhënësi i LSDM-së, deputeti Petar Shilegov, thotë se bisedimet po vazhdojnë me të gjitha partitë e shumicës parlamentare, në të gjitha nivelet.  
 
“Bisedimet për përbërjen e qeverisë së re, e dini që janë në vazhdimësi. Bisedimet zhvillohen në të gjitha nivelet dhe këtë mund ta shihnit edhe në ditën e djeshme edhe sot. Mendoj se, sa i përket rrumbullakimit të parimeve dhe funksionimit të qeverisë së re, kjo çështje po mbyllet. Kështu që do të hyjmë në valorizimin e bisedimeve rreth përbërjes së qeverisë”,- deklaroi Petar Shilegov nga LSDM.
 
Një ditë më parë, BDI, zyrtarisht kumtoi se është dakorduar rreth parimeve të qeverisjes dhe se kanë filluar bisedimet për ndarjen e resorëve. 
 
Edhe Lëvizja BESA ka filluar bisedimet me mandatarin Zaev. Pjesëmarrja në qeverinë e re është kushtëzuar me mospërfshirjen në ekzekutiv të personave të inkriminuar, me zbatimin e Deklaratës së partive shqiptare si dhe me përfshirjen e programit të saj elektoral. 
 
Pjesëmarrjen në Qeveri e shqyrton edhe Aleanca për Shqiptarë. Kreu i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, i cili deklaroi se do të mbështesë qeverinë reformatore, ndërkaq për pjesëmarrje do të vendosin organet e partisë.  
 
Në ndërkohë, mandatori, Zoran Zaev, është optimist se Qeveria e re do të zgjidhet shumë shpejtë. “Jemi të përkushtuar në zgjidhje cilësore të kuadrit në të gjitha dikasteret e qeverisë së re, të cilat do të punojnë në mënyrë demokratike dhe me përkushtim për cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët. Shteti shumë shpejtë do të jetë i gatshëm të hapërojë përpara”,- ka deklaruar mandatori Zaev në takim me përfaqësuesen e përhershme të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesen e UNDP-së për Maqedoninë, Luiza Vinton. 
 
Por, sipas të gjitha gjasave, formimi i Qeverisë së re mund të ndodh javën që vjen, pas takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederika Mogerini, në darkën e përbashkët me kryeministrat e rajonit.  
 
SHPËTIM NUREDINI