Botë
Shpallen të pafajshëm
29.05.2014 16:46
Në mungesë të vërtetimit të provave, trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti...

Në mungesë të vërtetimit të provave, trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, ka shpallur sot të pafajshëm Sylejman Selimin, Ismet Haxhën, Nexhat Qubrelin dhe Shefki Hysenin.
Ata janë akuzuar se në vitin 1998 kanë kryer krime lufte në Kosovë, ndërsa Shefki Hyseni akuzohet edhe për dhunim seksual ndaj një femre shqiptare.
Kryetari i trupit gjykues, Darius Sielitzci ka theksuar se nuk është arritur të vërtetohet dyshimi i bazuar se të pandehurit në bashkëkryerje në cilësinë e ushtareve të UÇK-së kanë kryer krime lufte duke cenuar integritetin trupor të dëshmitareve A dhe B. Selimi, Qubreli, Haxha dhe Hyseni akuzoheshin për krime lufte, që pretendohet se janë kryer gjatë vitit 1998, në rajonin e Mitrovicës.
Pala mbrojtëse e ka përshëndetur vendimin duke theksuar se aktakuza ka qenë e qëllimshme nga prokurori Salustro për ta njollosur figurën e Sylejman Selimit dhe të tjerëve.
"Gjykata ka sjell aktgjykim të drejtë, të ligjshëm dhe të besueshëm. Prokurori nuk ka paraqitur asnjë provë me të cilën do të vërtetoheshin pretendimet e pabazuara të prokurorisë për kinse involvimin e gjeneral Selimit dhe të tjerëve në këto veprime", ka deklaruar avokati, Tomë Gashi.
