Maqedoni

Althauzer: është humbur shumë kohë, ekspertët: vendin e pret shumë punë

23.05.2017 17:26

Maqedonia ka humbur shumë kohë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, prandaj tani është koha e duhur për t’u kthyer në këtë rrugë...

Kështu ka deklaruar ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Kristine Althauzer. Ajo shtoi se BE-ja dhe ShBA-të kanë ndihmuar Maqedoninë, por gjithçka sillet rreth reformave.
 
“BE-ja dhe ShBA-të kanë dhënë ndihmë për arritjen e Marrëveshjes së Përzhinës. Por, gjithçka sillet rreth reformave. Hapja e kapitullit të ri varet nga përmbushja e reformave. Kemi pritur gjatë që vendi të merret me këto çështje dhe është humbur shumë kohë. Por, tani është koha të kthehemi mbrapa në atë rrugë”,- deklaroi ambasadorja e Gjermanisë, Kristine Althauzer.
 
Se vendin e pret edhe shumë punë në rrugën e saj euroatlantike konstatuan edhe pjesëmarrësit në panel, profesoresha Besa Arifi dhe ish-diplomati Nikolla Dimitrov.
 
“Tanimë ka filluar të duket një rrugë më e drejtë, megjithatë unë mendoj se kemi humbur shumë kohë për shkak se gjatë këtyre 10 viteve të fundit Maqedonia jo vetëm që ka mbetur në vend, por fatkeqësisht ka shkuar mbrapa në proceset e eurointegrimit dhe do të ketë nevojë për një punë shumë të madhe për t’u kthyer në binarë dhe për t’u kthyer në trendin e integrimit euroatlantik”,- theksoi profesoresha universitare, Besa Arifi.
 
“Ne ndodhemi në gjysmën e rrugës për ta zgjidhur krizën. Të mos harrojmë se kriza nuk filloi ngase Maqedonia nuk kishte qeveri, apo sepse i duheshin zgjedhje të parakohshme. Kriza filloi pasi që kishim krizë të thellë të mosndëshkimit. Situatë në të cilën të gjithë dëgjuam për një krim të madh, ndërsa institucionet nuk ishin të afta për t’u përballur me atë krim”,- tha ish-diplomati, Nikolla Dimitrov.
 
Këto komente Althauzer, Arifi dhe Dimitrov i bënë në debatin e hapur në temë “Hyrje në Kuvend, dalje nga kriza, hyrje në BE”, që organizuan federalistët e rinj të Maqedonisë në bashkëpunim me Fondacionin “Fridrich Ebert”. 
 
NAIM RAMADANI