Maqedoni
LSDM reagon ndaj vendimit gjyqësor: Vendimi për 9 dhunuesit në Kuvend, skandaloz
23.05.2017 17:52
LSDM e vlerëson si të turpshëm vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1, me të cilin lirohen me kusht 9 sulmues të dhunshëm në incidentet e 27 prillit...

Nga LSDM u bëjnë me dije të gjithë sulmuesve, përfshirë dhe deputetët, policët, pjesëtarët e ARM-së, gjykatësit, prokurorët dhe qytetarët e thjeshtë të cilët sulmuan deputetët, se asnjëri prej tyre nuk do të amnistohet.
“Aktvendimet e sotme liruese për pjesëmarrësit në turmë janë krim, turp dhe ndoshta një nga ditët më të zeza në historinë e gjyqësisë së Maqedonisë. Kjo do të thotë se Zvërlevski, ekzekutuesit gjyqësor të Gruevskit, si dhe Mitko Çavkov, deputetët në xhirime, strukturat nga DSK-ja, MPB-ja dhe ARM-ja, të cilët morën pjesë në sulm, si dhe porositësit dhe ekzekutuesit e veprave penale do të duhet të përgjigjen për veprimet e veta para gjykatave të pavarura dhe profesionale, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë",- deklaroi Petre Shillegov nga LSDM.
Po ashtu LSDM-ja ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se ajo qëndron prapa incidenteve të dhunshme në Kuvend.
VMRO-DPMNE: Fajtorë për incidentet, deputetët e LSDM-së
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i VMRO-DPMNE-së. Edhe kjo parti kërkon zgjidhje juridike, por ajo nuk i sheh fajtorë sulmuesit e deputetëve, apo deputetët e saj që hapën dyert e Kuvendit, por deputetët e LSDM-së për, siç thonë nga kjo parti, “dhunën politike” dhe “shkeljen flagrante të kushtetuese” me zgjidhjen e kryeparlamentarit të ri të Kuvendit.
"Sulmi në Kuvend ka ndodhur prej brenda me shkeljen e të paktën tre neneve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, të paktën 27 neneve nga rregullorja për punë të Kuvendit dhe shkelja e ligjit për Kuvend. Gjithçka që ka ndodhur pastaj është pasojë e këtij tentimi për grusht shtet nga ana e koalicionit të Tiranës në krye me LSD-në",- u shpreh DRAGAN DONEV nga VMRO-DPMNE.
Nga partia e Gruevskit vazhdojnë të merren me Platformën e Tiranës, rreziku i së cilës, sipas vetë liderit të kësaj partie, ende nuk ka kaluar.
REXHEP QAMILI
