Maqedoni

Kociançiç: Në darkë me Mogherinin është ftuar Zoran Zaev

23.05.2017 18:07

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini...

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka ftuar mandatarin, Zoran Zaevin, në darkën joformale në Bruksel, ku do të marrin pjesë kryeministrat e 6 vendeve ballkanike.
 
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kociançiç.
 
“Lidhur me atë se kush do të marrë pjesë nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë në këtë darkë, konfirmojmë se Zoran Zaevi vjen në cilësinë e mandatarit për kryeministër”,- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiç. 
 
Kjo deklaratë sqaron dilemën se kush do të përfaqësojë në takimin e së mërkurës Maqedoninë, Zoran Zaev apo Emill Dimitriev. Po ashtu Kocijançiç ka sqaruar se: “Darka do të jetë vazhdim i vizitës së përfaqësueses së lartë, Mogherinit, në rajon, në mars të këtij viti”.                
 
Në darkën joformale Mogerimini me drejtuesit e qeverive të vendeve të Ballkanit perëndimor do të bisedohet rreth zhvillimeve të fundit në rajon dhe mundësive se si të gjitha vendet do të mund të ecin përpara.
 
Edhe zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shikegov, konfirmoi ftesën e Mogherinit për mandatarin Zaev, i cili para darkës do të ketë edhe takim bilateral me Mogerinin.
 
Në darkën joformale në Bruksel, përveç mandatarin Zoran Zaev janë të ftuar edhe kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. 
 
GYLTENE SINANI