Botë
Publikohet propozim-buxheti në ShBA, Trumpi parasheh shkurtime të mëdha
23.05.2017 21:37
Administrata Trump publikoi zyrtarisht buxhetin e Shteteve të Bashkuara, në vlerë prej 4.1 trilionë dollarësh, për vitin fiskal 2018...

Buxheti i ri parasheh 800 miliardë dollarë shkurtime në kujdesin shëndetësor dhe mbi 192 miliardë dollarë më pak në programet ushqimore. Më pak mjete do të ketë edhe për të ashtuquajturat programe të sigurisë, të tilla si kreditë për kolegje dhe përfitimet pensionale të punonjësve federalë.
Mbi 29 për qind të mjeteve do të reduktohen edhe për diplomacinë, ndihmën e huaj dhe programet jashtë ShBA-së. Propozimi i presidentit Trump për shkurtimin e ndihmës së jashtme ka hasur në pritje të ftohtë nga disa republikanë kryesorë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
"Ky buxhet nuk do të shkoj askund”,- tha Lindsey Graham, kryesues i një nënkomiteti të Senatit, i cili i mbikëqyrë shpenzimet në diplomaci dhe ndihma të jashtme.
“Nëse ne e implementojmë këtë buxhet, atëherë ju do të duhet të tërhiqeni nga bota ose ju do ta vëni në rrezik një numër të madh të njerëzve”,- tha Graham.
“Duke pasur parasysh kërcënimet në rritje me të cilat ne ballafaqohemi, ne duhet të jemi mbështetës, e jo zvogëlues të programeve kundër terrorit, zbatimit të ligjit dhe atyre humanitare”,- tha kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese, Edward Royce.
Por, lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConell, e ka lavdëruar propozimin e buxhetit, i cili, sipas tij, mund të jetë i balancuar, por republikani tjetër, John Corbyn, vlerësoi se ai është “në themel i vdekur me të arritur”. Kundër këtij propozimi është shprehur edhe ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila ka sugjeruar se këto shkurtime nuk do të kalojnë në Kongres.
