Botë
Trumpi takon Papa Fraçeksun, ulen tensionet, Papa i dhuron një degë ulliri
24.05.2017 12:24
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe Papa Françesku, zhvilluan një takim 30 minutësh të mërkurën, që përmbylli vizitat e presidentit në qendrat e tri besimeve monoteiste...

Takimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë me kreun e 1.2 miliardë katolikëve të botës është pritur me mjaft interes, nisur nga fakti që dy udhëheqësit janë përplasur me njëri-tjetrin në distancë mbi çështje të forta si emigracioni dhe ndryshimet klimatike.
Pas vizitës në Meksikë, Papa pati thënë se “një person që kërkon të ndërtojë mure në vend të urave, nuk është i krishterë”. Trump iu përgjigj Papës: “Është e turpshme për një udhëheqës fetar të verë në pikëpyetje besimin e dikujt. Unë ndjehem krenar që jam i krishterë. Nëse Vatikani sulmohet nga “Shteti Islamik”, Papa Françesku do të ishte i pari që do të lutej që Donald Trump të ishte president i Shteteve të Bashkuara”.
Por, gjatë diskutimit gjysmëorësh mes tyre, Trump duket se është zotuar që të mos e harrojë mesazhin e Atit të Shenjtë. Duke buzëqeshur, Papa i dhuroi skulpturën e vogël të një peme ulliri, që simbolizon paqen. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e falënderoi dhe i tha se “paqja mund të na duhet vërtet”. Papa Françesku i dha gjithashtu edhe kopjen e firmosur të mesazhit të përcjellë prej tij në Ditën Botërore të Paqes dhe tre shkrime të rëndësishme të vetat, përfshirë atë të vitit 2015 mbi nevojën për mbrojtjen e ambientit.
“Epo, do t’i lexoj të gjitha”, u shpreh Trump, që nga ana e vet i dhuroi kreut të Selisë së Shenjtë një kuti me shkrime të Martin Luther King. Dita e Trumpit vazhdon me spostimin në Bruksel për Samitin e NATO-s, ndërsa turin e parë jashtë kufijve që prej marrjes së postit republikani e përmbyll me Samitin e G7-s në Sicili.
