Botë
Sulmi terrorist, Britania në alarm maksimal, 4 të arrestuar
24.05.2017 12:33
Policia në Mançester njoftoi se ka arrestuar edhe tre persona lidhur me sulmin e vetëvrasësit me bombë gjatë koncertit ku humbën jetën 22 persona...

Nga policia njoftuan se arrestimet janë kryer në pjesën jugore të Mançesterit, ku një ditë më herët po ashtu arrestuan një person 23 vjeçar dhe bastisën një numër të madh të shtëpive.
Policia është duke tentuar që të vërtetojë nëse vetëvrasësi me bombë, Salman Abedi, ka vepruar vetë, apo ekziston rrezik për sulme të reja. Alarmi nga kërcënimi terrorist në Britani është ngritur në nivelin “kritik”, që do të thotë se sulme të tjera të së njëjtës natyrë janë të pritshme në shtetin-ishull.
Pohimin e bëri kryeministrja, Theresa May, që shtoi se do të dërgohet personel ushtarak për mbrojtjen e zonave kyçe, ku rrezikshmëria mund të jetë më e lartë.
“Ushtarët do të vendosen në vende publike, në mbështetje të forcave policore të angazhuara për mbrojtjen e publikut. Trupa ushtarakë do të shihen tani edhe gjatë shfaqjeve të ndryshme, si për shembull koncerte. Ata do të jenë nën komandën e oficerëve të policisë",- deklaroi kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May.
May këmbënguli se nuk dëshiron që këto masa t’i alarmojnë njerëzit, por i cilësoi si pjesë e një përgjigjeje të përmasave dhe ndjeshmërisë së duhur.
ADNAN HAJDARI
