Botë
Kush ishte kamikazi i Mançesterit, Salman mbahej nën vëzhgim, por jo edhe të hënën
24.05.2017 13:01
Terroristi që vrau 22 persona, gati të gjithë adoleshentë e fëmijë, duke hedhur veten në erë...

Terroristi që vrau 22 persona, gati të gjithë adoleshentë e fëmijë, duke hedhur veten në erë, pas koncertit të Ariana Grandes, në Mançester, sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Libi. Kështu thotë një shok i tij për gazetën “Times”.
22-vjeçari, Salman Abedi, i lindur në Britaninë e Madhe, nga prindër që ishin arratisur prej regjimit të Muammar Gaddafit, mund të ketë përgatitur sulmin nën direktivat xhihadiste. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse atentatori i Mançesterit është trajnuar në ndonjë kamp xhihadist në Libi, ku ISIS-i dhe al-Qaeda kanë lidhur aleancë për të luftuar forcat qeveritare. Fqinjët e përshkruajnë terroristin Abedi si një tip të çuditshëm, vetmitar e që nuk dukej shumë në publik, përveç kohëve të fundit kur shfaqej shpesh me miqtë e kthehej vonë në shtëpi.
Prej disa vitesh ishte nën vëzhgimin e policisë dhe studionte për ekonomi në Universitetin e Salfordit. Shefi i policisë së Mançesterit, Ian Hopkins, ka lënë të kuptohet se po i beson gjithnjë e më pak teorisë së “ujkut vetmitar”, duke u orientuar drejt hipotezës së një grupi të organizuar nga ISIS-i, ekspertët e të cilit mund të kenë përgatitur eksplozivët. Fëmija i parafundit i një çifti refugjatësh nga Libia, Salman, kishte siguruar shtetësinë angleze menjëherë pas lindjes. Në fakt, libianët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të komunitetit mysliman të Mançesterit.
Prindërit e 22-vjeçarit kanë jetuar në Londër për rreth 10 vite, para se të zhvendoseshin në Mançester, ku jetesa është më e lirë sesa në kryeqytet. Atje sollën në jetë tre djem dhe një vajzë. Siç duket, prej disa vitesh janë rikthyer në Tripoli, duke lënë në Mançester Salmanin dhe vëllanë e tij 23-vjeçar, Ismail. Salman ishte mik me Raphael Hostey, rekrutues i “Shtetit Islamik”, i vrarë në Siri në vitin 2016 gjatë një sulmi ajror. Shërbimi sekret britanik “MI5” e kishte regjistruar emrin e tij. Një ditë përpara ngjarjes, i riu i lindur në Angli kishte udhëtuar drejt Londrës, ku mendohet se mund të jetë takuar me komplotistë të tjerë, ose me personin që i dha brezin e mbushur me eksplozivë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
