Aksident në Indi, autobusi me pelegrinë bie në greminë, 21 të vdekur

24.05.2017 13:37

Një aksident automobilistik i ka marrë jetën 21 personave në Indi....

Një aksident automobilistik i ka marrë jetën 21 personave në Indi. Viktimat janë pelegrinë hindu dhe kanë qenë duke u kthyer nga një vend i shenjtë në momentin që autobusi ka rënë nga një lartësi prej 150 metrash.

Ngjarja ka ndodhur në Dharasu, në afërsi të një luginë në veri të vendit. Nga hetimet paraprake rezulton që shoferi të ketë humbur kontrollin e autobusit. Një zëdhënës i policisë tha se, deri më tani janë gjetur 17 trupa dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen të gjejnë viktimat e mbetura.

Gjashtë persona të tjerë të cilët u plagosën, po trajtohen në spital. Viktimat, të cilët ishin nga Madhya Pradesh, po ktheheshin nga Gangotri, një qytet pelegrin në brigjet e lumit Bhagirathi.