Maqedoni
Vendimi për dhunën në Kuvend, avokatët: vendime të ndryshme për vepra të njëjta; Osmani: reformimi i Gjyqësorit, prioriteti kryesor
24.05.2017 14:52
Gjykata Penale 1 në Shkup nuk sjell vendime të barabarta dhe të paanshme për të gjithë qytetarët...

Avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq, në disa raste për të akuzuarit në protesta, përfshirë këtu edhe protestuesit për rastin “Monstra”, thotë se për të njëjtën vepër penale “pjesëmarrje në turmë” të akuzuarit janë dënuar me 3 vite burg efektiv dhe dëm material për thyerje të disa dritareve të Gjykatave 1 dhe 2, për rreth 2 milion denarë.
Ai sqaron se Gjykata, edhe pse nuk kishte dëshmi të sakta se kush hodhi gurë ndaj gjykatave, edhe pse të akuzuarit nuk kishin për qëllim tentimin për vrasje, ata sërish u dënuan me dënim të rëndë krahasuar me rastin e 27 prillit në Kuvend, ku kishim dhunë, strukturë mirë të organizuar,tentim për vrasje dhe rrezikim të sigurisë së deputetëve.
“Një i akuzuar përgjigjet për pjesëmarrje në turmë kur nuk mund t’i vërtetohet akti i caktuar, që paraqet kualifikim më të rëndë të veprës penale. Unë do të bëj një krahasim, pasi që kam qenë avokat mbrojtës i personave të akuzuar që janë përgjigjur për vepra penale “pjesëmarrje në turmë”. Unë mbrojta të akuzuat për protestat e “Mostrës”, pjesë të protestuesve të autobusit të djegur në Bit Pazar. Për të njëjtën vepër penale protestuesit për rastin “Monstra” u dënuan me 3 vite burg edhe pse nuk u arrit të vërtetohet se kush saktësisht kishte hedhur gurë drejt gjykatës”,- deklaroi avokati, Asmir Alispahiq.
Eksperti juridik, Osman Kadriu, vendimin e gjykatës “lirim me kusht” për dhunuesit në Kuvendin Republikan e quan skandaloz.
Ai shprehet se veprimi tregon se gjyqësori është përgjegjës për krimin dhe korrupsion, dhe për të gjitha veprat që janë kryer dhe kryhen në Maqedoni, duke përfshirë edhe veprat penale kundër të zgjedhurve të popullit në Kuvend.
Kualifikimi dhe shqiptimi i dënimit nuk korrespondojnë me veprat reale penale që janë ushtruar në Parlament mbi deputetët dhe gazetarët.
“Tash me qeverinë e re prioritetet e para që duhet të rregullohen janë masat konkrete në gjyqësor edhe eventualisht me ndryshimin e strukturave në Gjyqësor dhe Prokurorinë shtetërore, do të kërkohet rishqyrtimi nga strukturat përgjegjëse të Gjyqësorit dhe Prokurorisë, që për lëndë konkrete të fillojë përsëri rigjykimi, natyrisht me kualifikim adekuat, të realët, objektiv për veprat penale të cilat janë ushtruar nga kryerësit e tyre dhe vetëm në atë mënyrë mund të korrigjohen gabimet e tyre”,- u shpreh eksperti juridik, Osman Kadriu.
Gjykata Penale 1 në Shkup të martën dënoi me kusht 9 persona të akuzuar për dhunën e 27 prillit në Kuvend, ku mbetën të lënduar disa deputetë dhe gazetarë.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
