Maqedoni
Qeveria dhe “deklarata”, Ahmeti: Shumica e pikave, pjesë e programit qeveritar
24.05.2017 15:17
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thotë se në programin e ri qeveritar janë përfshirë....

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thotë se në programin e ri qeveritar janë përfshirë pikat kryesore të deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, të cilat janë pjesë e programeve të partive përkatëse. Të gjitha pikat e tjera nga deklarata do të jenë të hapura për debat për shkak se asnjë pikë nuk përbën kërcënim për Maqedoninë, siç pretendohet.
“Sa i takon Platformës shqiptare, ajo paraqet deklaratë programore, e cila është e përfshirë në të gjitha programet e partive politike shqiptare. Nuk besoj se paraqet rrezik ose anashkalim të çështjeve që kanë të bëjnë me perspektivën dhe stabilitetin e vendit. Ajo është në të mirë të Maqedonisë dhe rajonit dhe se përfshin çështje të rëndësishme, siç është anëtarësimi në NATO dhe BE, zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi i barabartë për të gjitha rajonet. Pikat kryesore të asaj platforme janë të përfshira në programin qeveritar. Por, ka çështje në atë deklaratë, nuk është fshehtësi që do të ngrihen si iniciativa për diskutim publik”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ibrahimi: “Besa” do garanci për pjesëmarrje në qeveri; Aleanca, pro bisedimeve për qeveri
BDI dhe LSDM, ndërkohë, kanë harmonizuar qëndrimet rreth programit qeveritar dhe tanimë po bisedohet për ndarjen e resorëve në ekzekutiv. Emra konkretë për ministra ende nuk ka, por po bëhen përpjekje për përzgjedhjen e kuadrove sa më cilësorë, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Edhe Aleanca për Shqiptarët ka ngritur grupet e punës që do të diskutojnë rreth programit qeveritar dhe ndarjes së resorëve, ndërsa nga “Besa” thonë se edhe pse mandatari Zaev i ka lutur dhe u ka ofruar poste ministrore, ata ende presin garanci.
“Është hera e parë që ka një parti shqiptare që thotë se nuk ka rëndësi sa ministra fitojmë, por a do zgjidhet çështja shqiptare dhe me çfarë mënyre bashkëqeverisjeje do të funksionojmë”,- tha Zeqirija Ibrahimi nga Lëvizja “Besa”.
Platforma shqiptare u mor për shkas nga presidenti i republikës, Gjorge Ivanov, për ta frenuar ndarjen e mandatit për kandidatin e shumicës parlamentare, Zoran Zaev, dhe kërkoi nga mandatori dhe faktori ndërkombëtar që ta dënojnë dhe ta hedhin poshtë atë. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Mandati u nda menjëherë pas dërgimit të një deklarate “pro formë” në presidencë, ku mandatari deklaroi se qeveria e re do të mbrojë unitaritetin e Maqedonisë.
Në ndërkohë, mandatori vazhdon bisedimet intensive për formimin e qeverisë me të tri partitë shqiptare që i dhanë mbështetje për formimin qeverisë.
SHPËTIM NUREDINI
