Maqedoni
Darka në Bruksel, Mogherini: Ballkani është Europë, flasim për perspektivat
24.05.2017 15:33
Derisa gjashtë kryeministrat e Ballkanit, mandatari për qeverinë e Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i Kosovës, Isa Mustafa...

Derisa gjashtë kryeministrat e Ballkanit, mandatari për qeverinë e Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i Kosovës, Isa Mustafa, i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i Malit të Zi, Dushko Markoviq, dhe BH, Deniz Zvizdikj, tashmë po bëhen gati për darkën në Bruksel, shefja e Diplomacisë europiane, Federica Mogherini, para darkës joformale u ka dërguar edhe një mesazh.
Sipas saj, ngjarjet e fundit në Ballkan, vështirësitë, por edhe disa hapa të mirë, shtruan domosdoshmërinë e një takimi të tillë që bashkërisht të ndërtohen hapat e ardhëm për rajonin.
“BE-ja është e shqetësuar për rritjen e gjuhës nacionaliste në Ballkan, sidomos kur ajo vjen nga politikanë të lartë. Njëra prej arsyeve për këtë thirrje është se si liderët e Ballkanit të gjejnë mënyrë për të mësuar se nuk duhet të shpërndajnë mesazhe nacionaliste. I ftuam kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit dhe mandatarin Zaev, për të ndarë situatën aktuale në rajon dhe rrugën përpara, si t’i forcojmë mundësitë dhe perspektivat për bashkëpunim më të mirë të vendeve të Ballkanit me BE-në”,- deklaroi shefja e Diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.
Mogherini theksoi se Ballkani është një rajon kyç për BE-në, më saktë është rajon europian, por vendet duhet ta kenë të qartë perspektivën e tyre europiane.
“Ballkani Perëndimor është rajon kyç për BE-në kryesisht për shkak të sigurisë, parandalimin e radikalizimit, një zonë në të cilën ne kemi bashkëpunim të mirë, për shkak të menaxhimit të refugjatëve dhe kufijve. Unë shpesh them se ne nuk duhet të flasim për perspektivën e këtyre vendeve për t'u bashkuar në Europën për arsye se ata janë në Europë. Duhet të flasim për perspektivën e anëtarësimit të tyre në BE dhe kjo është pikërisht tema e darkës së sotme”,- tha shefja e Diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.
Mogerini ritheksoi angazhimin e saj personal, por edhe të komisionerit Hahn dhe tre kryetarëve, Tusk, Juncker dhe Tajani, i cili është për të punuar ngushtë me të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
GAZMEND KURTISHI
