Maqedoni
Mbrëmë shiu ktheu rrugët në përrenj, sinoptikët apelojnë për kujdes edhe sonte
24.05.2017 16:37
Reshjet e fundit të shiut shkaktuan probleme mbrëmë në shumicën e komunave të vendit...

Sasia e madhe e ujit dhe pamundësia e kanalizimeve për ta mbajtur gjithë këtë sasi, i kthyen rrugët në përrenj, në vetëm pak minuta. Por, për fat shiu nuk zgjati shumë dhe përveç frikës dhe disa podrumeve me ujë, nuk flitet për dëme të mëdha nga moti i lig.
Banorët e Sarajit, ndërkohë, ankohen se përveç rrugëve, shiu ka bllokuar makinat në nënkalimin që lidh këtë komunë me autostradën për Tetovë. Edhe pse dihet që në mot të tillë me shi kryesore është evitimi i nënkalimeve rrugore, 10 makina kanë ngecur në nënkalim teksa uji ka arritur dhe ka lagur motorët e tyre.
“Mbrëmë këtu ka pasur 10 vetura të përmbytura në ujë. Vetura me të cilën mbrëmë kalova këtu mu prish në ujë, sot mora veturën tjetër dhe me kamionë në mëngjes i kemi nxjerrë nga uji”,- tha një banor i Sarajit.
“Dje ishte bërë këtu det, ndërsa rruga për komunikacion ishte e bllokuar prej orës 3 deri në mëngjes”,- theksoi një banor i Sarajit.
“Jo vetëm mbrëmë, por gjithmonë këtu është katastrofë kur ka reshje të shiut. Shumë vetura mbrëmë pësuan defekte”,- u shpreh një banor i Sarajit.
Sinoptikët, ndërkohë, qetësojnë se niveli i ujërave të lumenjve në vend është stabil dhe deri në këto momente nuk ka rrezik për dalje të tyre nga shtrati. Por, paralajmërojnë vazhdim të reshjeve të rrëmbyeshëm të shiut sonte dhe nesër, në pjesët jugore dhe veriore të vendit.
“Gjatë orëve të natës pritet mot i ngjashëm si ai mbrëmë. Pritet të ketë vranësira dhe reshje të shiut, të cilat në disa pjesë të vendit do të paraqiten në formë të stuhisë, me bubullimë dhe erë”,- deklaroi sinoptikani, Boris Sekirarski.
Stabilizim të kohës, diell dhe rritje të temperaturave sinoptikanët paralajmërojnë nga fundi i kësaj jave dhe javës së ardhshme.
REXHEP QAMILI
