Maqedoni
Qeveria e re, analistët: Shqiptarët në Qeveri, por kujdes kuadrot
24.05.2017 17:23
Koalicionin qeverisës e presin detyra të rënda, prandaj të gjitha partitë shqiptare duhet të jenë pjesë e ekzekutivit...

Koalicionin qeverisës e presin detyra të rënda, prandaj të gjitha partitë shqiptare duhet të jenë pjesë e ekzekutivit, vlerësoi analisti politik, Ilir Luma, në emisionin “Argument” në TVM2. Por, ndryshe nga Luma, opinionisti, Blerim Hyseni, preferon që shqiptarët të kenë opozitë, ndërsa mbështetja e tyre, sipas tij, nuk duhet t’i mungojë deklaratës që kanë nënshkruar bashkërisht.
“Të gjitha partitë shqiptare duhet të jenë pjesëmarrëse në qeveri, të gjitha partitë shqiptare duhet ta mbajnë përgjegjësinë e pjesëmarrjes në qeveri, të gjitha partitë shqiptare në fund të mandatit qeveritar duhet të japin para opinionit edhe llogarinë për atë se çfarë kanë thënë se do të bëjnë dhe çfarë kanë arritur të bëjnë”,- deklaroi analisti, Ilir Luma.
“Për çështjet të cilat janë në deklaratën politike të shqiptarëve, aty nuk ka dilema se duhet të mbështeten të gjithë, por kjo nuk nënkupton se të gjithë duhet të jenë pjesë e qeverisë për shkak se mendoj se shqiptarëve në Maqedoni pa një opozitë do të ketë një kërcënim tjetër, do të vazhdohet edhe më tej me humbjen e identitetit politik në Maqedoni”,- theksoi opinionisti, Blerim Hyseni.
Për profesorin, Isak Sherifi, Maqedonia akoma ndodhet në krizë, prandaj partitë e koalicionit qeverisës duhet të bëjnë kujdes me përzgjedhjen e kuadrove.
Ndërsa profesori universitar, Jusuf Zendeli, thotë se funksionimi i Kuvendit do të jetë sfida e radhës.
“Përfundimisht skena politike në ekzekutiv duhet të ndryshojë krejtësisht, nuk ka ministrat e mëparshëm, nuk flas për shumë, edhe ministër edhe profesor në dy universitete. A do të punosh për qytetarët apo për xhepin tënd? Në ekzekutiv duhet të marrin pjesë të gjitha partitë politike shqiptare, me iu përmbajt deklaratës”,- theksoi profesori universitar, Isak Sherifi.
“Sfida e re e këtij koalicioni qeverisës duhet të fillojë pikërisht nga Kuvendi, me qëllim që së pari Kuvendi i RM-së, ku duhet të kontribuojnë të gjithë deputetët, që ai të arrijë të ushtrojë funksionin e vet themelor, përkatësisht tre funksionet, atë ligjvënës, zgjedhor dhe kontrollues. Se si do të arrijë të kontrollojë, p. sh. kur duhet të ketë ndryshime, shkarkime të bartësve të funksioneve publike, mendoj se Parlamenti duhet ta ushtrojë funksionin e vet kontrollues”,- u shpreh profesori universitar, Jusuf Zendeli.
Një nga sfidat me të cilat do të përballet koalicioni i ri qeverisës do të jenë edhe reformat në gjyqësor dhe sundimi i ligjit, konsideruan pjesëmarrësit në debat.
NAIM RAMADANI
