MAQEDONI
Bashkëpunimi Maqedoni - Kosovë për mbrojtjen e lumit Lepenc
29.05.2014 16:57
Projekti i përbashkët maqedono-kosovar për menaxhimin e integruar me resurset ujore...
Projekti i përbashkët maqedono-kosovar për menaxhimin e integruar me resurset ujore, i cili duhet të përfundojë deri në dhjetor të këtij viti, mblodhi sot anëtarët e Komisionit nga Kosova dhe Maqedonia, si dhe ekspertët e kësaj lëmie, ku u diskutua për mënyrën e menaxhimit me ujërat.
Me këtë rast u definuan edhe drejtimet për aktivitetet e mëtutjeshme të këtij Komisioni për menaxhimin dhe mbrojtjen e lumit Lepenc.
Shuma e përgjithshme e projektit është mbi 54 mijë euro, financuar nga Republika e Finlandës dhe i njëjti zbatohet në kuadër të iniciativës për siguri në mjedisin jetësor si pjesë e programit “Transformimi i rreziqeve në mjedisin jetësor dhe sigurimi në bashkëpunim me rajonin e Evropës Juglindore 2009-2013".
Sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Ambientit të Maqedonisë, Sonja Lepitkova, ka thënë se projekti ka për qëllim rritjen e vetëdijes rreth çështjeve të menaxhimit të përbashkët me resurset ujore në rajonet ndërkufitare, rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar dhe dialogu në procesin e menaxhimit të integruar me resurset e përbashkëta ujore.
Projektet e këtilla kontribuojnë drejtpërdrejtë në realizimin e objektivave në kuadër të prioritetit të dytë të ENV-SEC, programit për rajonin e Evropës Juglindore, ka thënë Lepitkova.
