Maqedoni
Ivanov takon presidentin rus, Putin: vendimet politike në pajtim me Kushtetutën; Kisha ruse nuk e njeh KOM-in, megjithatë ndan mirënjohje për Ivanovin
24.05.2017 18:19
Ngjarjet politike në Maqedoni ishin në fokusin e takimit në mes presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dhe atij të Rusisë, Vlladimir Putin...

Rusia me vëmendje i përcjell situatat. “Dëshirojmë që situata e brendshme politike të zhvillohet në përputhshmëri me Kushtetutën dhe principet demokratike”, ka theksuar Putin gjatë takimit me presidentin Ivanov.
Për të dy liderët simbolika e këtij takimi është e madhe, sepse realizohet në ditën kur Maqedonia dhe Rusia festojnë Ditën e Shenjtërorëve dhe mësuesve mbarësllavë.
“Me vëmendje ndjekim gjithçka që po ndodh në vendin tuaj. Ne dëshirojmë që situata politike në Maqedoni të zhvillohet në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe jam i bindur që përvoja juaj, autoriteti dhe ndikimi juaj do të kontribuojnë për të mirë”,- deklaroi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
Para takimit me Putin, patriarku i Kishës Ortodokse ruse, Kiril, presidentit Ivanov ia ndau çmimin “Shenjtëria e tij e patriarkut të Moskës dhe e të gjithë Rusisë Aleksej i Dytë”.
“Simbolika e këtij takimi është e madhe, është dita e shenjtorëve mbarësllovenë, Kirili dhe Metodi, që ne i kujtojmë si mësues të mëdhenj. Gjithashtu ka peshë të veçantë se çmimi është për vitin 2016, kur edhe ne e kemi shënuar 1 mijë e 100 vjetorin e vdekjes së shenjtorit tonë, Kliment Ohridski”,- tha presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Dy presidentët janë të kënaqur me përparimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, por edhe në lëvizjen pozitive në këmbimin ekonomik.
BELINDA KOKA-ADEMI
