MAQEDONI
Nuk ka vend për panikë, nuk do të ketë vërshime
29.05.2014 17:00
Enti Hidrometeorologjik parashikon mot të ndryshueshëm me erë dhe reshje të shiut...

Enti Hidrometeorologjik parashikon mot të ndryshueshëm me erë dhe reshje të shiut, por jo dhe reshje të cilat mund të shkaktojnë vërshime.
Sipas tyre, vala freskuese që ka kapluar vendin do të ndikon në uljen e temperaturave në ditët në vijim. Koha jastabile pritet të jetë deri të hënën, ndërsa nga dita e martë pritet rritje të temperaturave.
“Fillimisht vranësirat e kapluan pjesën jugperëndimore të vendit që nga orët e paradites, gjë që ndikoi në uljen e temperaturave. Vranësirat do të shpërndahen deri në fund të ditës përgjatë gjithë territorit. Të reshurat e para ishin në Mavrovë dhe Pretor. Të reshura intensive deri në fund të ditës do të ketë në tërë vendin, i cili kohë pas kohe do të jetë i rrëmbyeshëm, i shoqëruar me erë mesatare veriperëndimore. Shirat do të vazhdojnë edhe gjatë natës, ku sasia pritet të jetë diku 20 litra për metër katrorë, që sidoqoftë nuk do të paraqet ndonjë problem të madh”, deklaroi nga Enti Hidrometeorologjik, Boris Sekirarski.
Ndërkaq nga Qyteti i Shkupit theksojnë se në rast të ripërsëritjes së vërshimeve eventuale, të gjitha ndërmarrjet publike në kuadër të Qytetit të Shkupit janë në gjendje gatishmërie të intervenojnë për të parandaluar çdo situatë të jashtëzakonshme eventuale.
ZEJXHANE OSMANI
