Mogerini: Kryeministrat e Ballkanit zotohen për vazhdimin e proceseve integruese

25.05.2017 11:09

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini....

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, ka inkurajuar kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të angazhohen më shumë për përmbushjen e synimeve për përafrim me Bashkimin Europian.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe mandatari, Zoran Zaev, në Bruksel, ishin të pranishëm edhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në një komunikatë me shkrim, zyra e Mogherinit njofton se përfaqësuesja e lartë e BE-së iu ka adresuar sugjerime liderëve ballkanik t’i vazhdojnë reformat europiane.

“Të gjithë të pranishmit janë zotuar se do të angazhohen për vazhdimin e procesit të integrimeve europiane. Kanë përsëritur vendosmërinë dhe interesin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e kualitetit të jetës për qytetarët në rajon”,- thuhet në komunikatën e Mogherinit.

ZAEV: NË 2018 PRESIM DATËN PËR FILLIMIN E BISEDIMEVE

Mandatari, Zoran Zaev, shprehi ambiciet e qeverisë që ai pritet ta drejtojë, se deri në vitin 2018 Maqedonia do të marrë datën për fillimin e bisedimeve për aderim në BE.

“Kemi biseduar për të gjitha hollësirat, kemi biseduar për projektet rajonale, për mbështetjen e projekteve në infrastrukturë, që janë në fazë ndërtimi dhe në fazë aplikimi. Kemi folur për çështje dypalëshe në rajon, që janë pengesë për avancimin e ardhshëm të vendeve drejt BE-së. Dhe gjithsesi më e rëndësishmja ishte përforcimi i bashkëpunimit. Praktikat e këtilla ajo i paralajmëroi si një nevojë e rregullt në takimet me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesit e BE-së. Në prani të zonjës Mogerini konstatuam se BE-ja do të na respektojë më tepër nëse ne bashkëpunojmë më shumë si rajon. Hapja e kapitujve 23 dhe 24 do të jetë ndihmesë e madhe në reformat në gjyqësor dhe sigurinë në Maqedoni. Kjo e dimë se për ne do të thotë realizime serioze të vërejtjeve dhe sugjerimeve të raportit të BE-së dhe raporteve të PRIBE-së. Unë dëshiroj në vitin 2018 të hapet datë për fillimin e bisedimeve për aderim”,- deklaroi mandatari për formimin e qeverisë, Zoran Zaev.                                                                                                                     

RAMA DHE MUSTAFA: TË PËRKUSHTUAR NË PERSPEKTIVËN EUROPIANE

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Isa Mustafa, shprehën angazhimin e dy vendeve për përshpejtimin e afrimit drejt BE-së.

“Ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet tona për t’u ulur sa më parë në tryezën e negociatave. Pengesë për këtë tryezë ka qenë vetingu, kjo do të jetë një arsye shumë e fortë që qeveria dhe opozita e dalë nga zgjedhjet të kërkojë hapjen e negociatave. Do ta bëjmë këtë me forcë, në kuptimin e një zëri të unifikuar”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Shpreha përkushtimin e Kosovës për perspektivën europiane, se ne, pa marrë parasysh se kemi hyrë në procesin e zgjedhjeve, do të ndjekim rrugën që na çon në perspektivën europiane. Po ashtu mbesim të përkushtuar në bashkëpunimin regjional dhe avancimin e raporteve tona me vendet e Ballkanit Perëndimor”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Të gjithë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor theksuan se do të angazhohen për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe thellimin e mirëkuptimit rajonal, nëpërmjet respektit dhe bashkëpunimit reciprok. (Gyltene Sinani, TVM2)