Itali, një tjetër tragjedi në Mesdhe, mbytet anija me 500 emigrantë, 34 viktima

25.05.2017 12:02

Një tjetër tragjedi emigrantësh ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm...

Një tjetër tragjedi emigrantësh ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Një anije me rreth 500 emigrantë në bord, e nisur nga porti libian, Zuara, e me destinacion Italinë, është përmbysur në det duke shkaktuar mjaft viktima.

Ngjarja ka ndodhur rreth 30 milje larg portit libian dhe operacionet e shpëtimit të koordinuar nga Roja bregdetare italiane kanë rikuperuar në det trupat e 34 viktimave, 1/3 e të cilëve janë fëmijë.

Mjaft emigrantë të tjerë kanë mundur të shpëtojnë, por sipas rrëfimeve të tyre numri i personave të mbytur është më i madh. Roja bregdetare italiane ka aktivizuar në det anije të tjera në ndihmë të operacioneve të kërkimit të emigrantëve të mbytur.

Sipas Organizatës Botërore të Refugjatëve, nga janari i vitit 2017 e deri më sot, mbi 50 mijë emigrantë e rreth 39% më shumë se një vit më parë kanë mbërritur në Itali përmes rrugës detare të Mesdheut. Kjo rrugë mbetet një nga më të rrezikshmet për jetën e emigrantëve e vetëm gjatë 2017 ka shkaktuar rreth 1400 viktima.

Sipas të dhënave  gjatë 15 viteve të fundit, janë rreth 30 mijë emigrantë të cilët kanë humbur jetën në Detin Mesdhe, i cili çdo ditë e më shumë i ngjan një varreze ujore.