MAQEDONI
Ahmeti: Angazhim më i madh për çështjen e emrit
29.05.2014 17:04
Tani ka ardhur koha për angazhim serioz dhe të drejtpërdrejtë nga komuniteti...

Tani ka ardhur koha për angazhim serioz dhe të drejtpërdrejtë nga komuniteti ndërkombëtar në drejtim të arritjes së kompromisit me Greqinë, kështu thuhet në kumtesën e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit që realizoi në selinë partiake me ambasadoren franceze, Lorens Oer.
“Për ne, NATO nuk ka alternativë. Maqedonia ka nevojë për stabilitet dhe siguri të qëndrueshme, marrëdhënie të shëndosha ndëretnike dhe ndër fqinjësore, si dhe zhvillim ekonomik dhe të gjitha këto mundësojnë mirëqenie në shoqëri. Por, realizimi i të gjitha këtyre synimeve bëhet vetëm nëpërmjet anëtarësimit në NATO”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Më tej thuhet se palët në këtë kontest duhet të ulen sa më shpejtë dhe të diskutojnë në mënyrë konstruktive drejt arritjes së kompromisit dhe se ky proces duhet të ndihmohet edhe nga komuniteti ndërkombëtar, sepse suksesi i këtyre bisedimeve do të ndikojë pozitivisht në vend dhe në rajon, njëjtë sikur edhe marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ambasadores franceze i ka thënë se ka hapësirë që palët të ulen dhe të diskutojnë drejt arritjes së kompromisit mbi propozimin e fundit të ndërmjetësit Metju Nimic.
Ndërsa ambasadorja ka thënë se Franca mbështet procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe inkurajon autoritetet vendase që të përpiqen të arrijnë kompromis për të gjitha çështjet e hapura në mënyrë që të realizohet ky synim.
Ahmeti dhe ambasadorja Lorens kanë biseduar edhe rreth përgatitjeve për Samitin e Aleancës Veri-perëndimore në muajin shtator në Kardif si një pikë e rëndësishme për referencë, por u ripërsërit që në fuqi është akoma vendimi i NATO-s në samitin e Bukureshtit, që thotë se për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nuk ka nevojë të thirret Samit i Aleancës.
Kreu i BDI-së, Ahmeti, gjithashtu e ka njoftuar edhe me zhvillimet e fundit politike për formimin e Qeverisë së re dhe për kongresin zgjedhor të BDI që do të mbahet më 5 qershor në Tetovë.
AFRIM TANALLARI
