Dhuna në Kuvend, Sela dhe Kiracoski dëshmuan në Prokurori

25.05.2017 16:34

Kreu i LR-PDSh-së për herë të dytë ka dëshmuar në Prokurorinë Themelore Publike....

Kreu i LR-PDSh-së për herë të dytë ka dëshmuar në Prokurorinë Themelore Publike për incidentin e gjakosur më 27 prill në Kuvend.

Sela dëshmoi se sulmi ndaj tij nuk ka nevojë për shpjegime shtesë, pasi që çdo gjë është e filmuar dhe e dëshmuar në opinion. Të gjithë ata që hynë, ushtruan dhe koordinuan dhunë ndaj deputetëve, duhet të dënohen.

“Realisht nuk ka nevojë shumë për dëshmi, sepse gjithçka ishte aq publike, tendencat ishin po ashtu publike. Nga ana tjetër dhe porositësit e asaj që ndodhi, atentatit, janë shumë publik, janë figura politike, kryetar partish të cilët në përpjekjet e tyre për të shpëtuar krimin dhe korrupsionin që kanë bërë ndër vite, janë të gatshëm për gjithçka. Unë shfrytëzoj rastin të bëj apel që qasje në hapësirat e Parlamentit nuk guxon të ketë askush përveç të punësuarve dhe deputetëve, dhe të gjithë ata që ishin prezentë atë ditë në Kuvend, të gjithë do të duhet të jenë objekt i padive nga ana e Prokurorisë Publike”,- deklaroi kryetari i  LR-PDSh-së, Ziadin Sela.

Sela gjithashtu dënoi vendimin skandaloz të Gjykatës Themelore Shkupi 1, e cila liroi me kusht tetë sulmuesit e dhunshëm të deputetëve, dhe shprehet optimist se përbërja e re qeveritare do të sjellë drejtësi të barabartë për të gjithë. I të njëjtit mendim është edhe Aleksandar Kiracoski i LSDM-së, i cili dëshmoi për ngjarjen e 27 prillit. Edhe ai kërkoi angazhim më të madh të Prokurorisë Publike dhe Gjykatës për zbardhjen e rastit në tërësi.

“Aktvendimet e Gjykatës Themelore Shkupi 1 për disa sulmues paraqesin turp për procesin gjyqësor dhe janë absolutisht të papranueshme. Nëse Gjykata dhe Prokuroria Themelore Publike vazhdojnë në këtë mënyrë t’i trajtojnë edhe sulmuesit e tjerë, do të shndërrohen në pjesëmarrës absolutë në kryerjen e kësaj vepre”,- tha deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracoski.

Për dhunën brutale të ushtruar ndaj deputetit, Ziadin Sela, akuzohen dy persona, Kire Gjorgjievski dhe babi i tij, Cane Gjorgjievski, për veprën penale “tentim për vrasje”.

Sipas policisë, dy të akuzuarit kanë sulmuar deputetin Sela  dhe e kanë tërhequr zvarrë nëpër korridore. (Rexhep Qamili, TVM2)