Maqedoni
Qeveria e re, partitë akoma nuk i publikojnë emrat
25.05.2017 16:51
Veç dakordimeve lidhur me parimet se si do të funksionojë Qeveria e re, partitë politike - pjesë e shumicës së re parlamentare...

Veç dakordimeve lidhur me parimet se si do të funksionojë Qeveria e re, partitë politike - pjesë e shumicës së re parlamentare,- zyrtarisht nuk kanë publikuar ndarjen e resoreve dhe emrat e kuadrove që do t’i udhëheqin ato.
Kreu i LR-PDSh-së, Ziadin Sela, deklaroi se do të mbështesin Qeverinë e re pavarësisht nëse do të jenë pjesë e kabinetit të Zaevit apo jo.
“Ne jemi të gatshëm dhe një gjë është e sigurt, LR do ta votojë Qeverinë pa marrë parasysh resoreve, se do të kemi apo nuk do të kemi resore në këtë qeverisje. Ne do japim mundësi dhe do të jemi ata që do të kontrollojmë këtë qeverisje në vazhdimësi”,- deklaroi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
Por, nga Lëvizja BESA njoftojnë se me mandatarin, Zoran Zaev, akoma nuk kanë hapur biseda për ndarjen e resoreve. Ata janë në pritje të përgjigjes lidhur me parimet e funksionimit të koalicionit qeverisës dhe më pas do të hapin çështjen e ndarjes së resoreve.
BDI, ndërkohë, me LSDM-në, ka harmonizuar qëndrimet rreth programit qeveritar dhe tanimë po bisedohet për ndarjen e resoreve në ekzekutiv.
Emra konkretë për ministra ende nuk ka, por po bëhen përpjekje për përzgjedhjen e kuadrove sa më cilësorë, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ditë më parë.
NAIM RAMADANI
