Ekonomi

Banka Popullore e Maqedonisë, 2,5 për qind rritje ekonomike për këtë vit

25.05.2017 17:44

Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë në projektimin e prillit parashikon rritje prej 2,5 për qind në ekonominë e Maqedonisë për këtë vit...

Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë në projektimin e prillit parashikon rritje prej 2,5 për qind në ekonominë e Maqedonisë për këtë vit, pas çka do të vijonte përshpejtim në 3,2 për qind në vitin 2018, informon guvernatori i BPRM-së, Dimitar Bogov.
 
BPRM ka pritje të pandryshueshme për nivelin e inflacionit krahasuar me tetorin dhe pret përshpejtim të rritjes së çmimeve, gjegjësisht inflacionit prej 1,3 për qind këtë vit dhe dy për qind deri në vitin e ardhshëm.
 
“Eksporti dhe shpenzimet personale edhe gjatë këtij viti do të jenë faktori kryesor i rritjes ekonomike. Te investimet sërish pritet një ulje e butë, ndërkaq vitin e ardhshëm pritet që të jenë pozitive. Eksporti do të nxitet nga kapacitetet e reja si dhe nga ringjallja e industrisë tradicionale, e tërhequr nga përmirësimi i çmimeve të metalit dhe kërkesës, si dhe ringjallja veçanërisht e ekonomisë europiane”,- theksoi guvernatori, Dimitar Bogov.
 
BPRM pret ngushtim të deficitit të llogarisë vijuese në periudhën 2017-2018, deficit më të ulët në bilancin e mallrave dhe shërbimeve, rritje të ulët të të ardhurave sekondare, si dhe zgjerim të deficitit të të ardhurave primare.
 
Për këtë vit projektohet rritje e depozitave te sistemi bankar prej 4,2 për qind si dhe rritje kreditore prej 5,6 për qind. Sistemi bankar sipas BPRM-së edhe më tej është stabil, likuid dhe lartë i kapitalizuar.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU