Botë

Trump takon aleatët e NATO-s, aleancë ushtarake kundër ISIS-it

25.05.2017 19:16

Donald Trump takoi liderët e BE-së përpara samitit me krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s...

I pari që e priti ishte presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
 
Me presidentin amerikan ka gjetur pika të përbashkëta sa i takon dhunës së militantëve dhe Ukrainës, tha ky i fundit pas takimit. T
 
rump, që ka shprehur rezerva ndaj vlerave të bllokut gjatë fushatës dhe pat përshëndetur me të madhe daljen e Britanisë nga Unioni, është përballur me thirrjet e udhëheqësve europianë që ta vazhdojë mbështetjen amerikane ndaj integritetit të kontinentit të vjetër.  
 
“Kam ndjenjën se jemi pajtuar në shumë fusha, pikë së pari rreth luftës kundër terrorizmit. Por, disa çështje mbeten të hapura, siç janë ndryshimet klimatike dhe tregu. Po kështu nuk jam 100 për qind i sigurt se kemi qëndrime të njëjta mbi Rusinë dhe po ashtu për konfliktin ukrainas jemi në një mendje”,- u shpreh presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
 
Kërkesa e parë e Donald Trumpit ndaj NATO-s, ndërkohë, ka marrë dritën jeshile.
 
Aleanca e Atlantikut Verior është e gatshme për aktivizim në koalicionin anti-ISIS të drejtuar nga Amerika dhe në samit kjo do të vendoset zyrtarisht. 
 
Për sekretarin e përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ky është “një mesazh i fortë politik”.
 
Me këtë, Aleanca demonstron, sipas tij, unitet në luftën kundër terrorizmit.
 
Më konkretisht, për NATO-n, një angazhim i tillë nënkupton zgjerim të misioneve të avionëve të përgjimit, AVACS, që ngrihen nga Turqia për të vrojtuar hapësirën mbi Siri e Irak.
 
Tani ata do të jenë më gjatë në misione të tilla, si për të furnizuar në ajër avionët e koalicionit, edhe për të drejtuar avionët e koalicionit anti-ISIS.
 
Temë qendrore e agjendës mbetet dhe ajo e shpenzimeve ushtarake, bisedimet mbi të cilën, sipas ekipit Trump, kanë për të qenë të vështira.
 
Ankesa e madhe e tij ndaj anëtarëve të NATO-s lidhet me faktin që kanë paguar më pak për mbrojtjen sesa 2 përqindëshi i prodhimit kombëtar, mbi të cilin është rënë dakord me kohë. 
 
Trump sot u takua edhe me presidentin e KE-së, Zhan Kllod Junker, diplomaten e parë europiane, Federika Mogerini, dhe me kryetarin e PE-së, Antonio Tajani.  
 
BELINDA KOKA-ADEMI