MAQEDONI

Bushati: M.O. urë lidhëse midis dy vendeve

29.05.2014 17:10

Shqipëria kërkon Shkup zyrtar që të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, dokument i cili sipas Tiranës...

Shqipëria kërkon Shkup zyrtar që të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, dokument i cili sipas Tiranës zyrtare mundëson zhvillimin e barabartë dhe harmonik të të gjithë qytetarëve, veçanërisht të shqiptarëve të Maqedonisë.
 
Ambasadori shqiptar i sapoakredituar në vend, Petrit Bushati, pas dorëzimit të kredencialeve të presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, ka kërkuar nga ky i fundit që të angazhohet për zbatimin e këtij dokumenti dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët sipas tij paraqesin urë lidhëse në bashkëpunimin mes dy vendeve.
 
“I shpreha gjithashtu presidentit besimin e madh dhe bindjen që ka Republika e Shqipërisë se me kapacitetin e tij si simbol i unitetit në Maqedoni do të angazhohet edhe më tej për të arritur progres të mëtejshëm në zbatimin e MO-së, e cila është një marrëveshje që garanton zhvillimin e njëllojshëm, harmonik dhe pa probleme të të gjithë subjekteve dhe njerëzve në Maqedoni dhe në mënyrë të veçantë të popullsisë shqiptare, e cila është një urë shumë e rëndësishme lidhëse për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Maqedonisë dhe Shqipërisë”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushati.
 
Veç kësaj, ambasadori Bushati ka paraqitur para presidentit Ivanov interesin e posaçëm të Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve, posaçërisht në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe ujore përmes liqenit të Ohrit, në favor të qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, por edhe për thithjen e investitorëve të huaj. 
 
Ndryshe, Petrit Bushati është diplomat me karrierë dhe njohës i mirë i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit. Bushati do të jetë zëvendësues i ambasadorit të deritanishëm, Arben Çejku, i cili ka marrë vlerësime pozitive në Shqipëri për aktivitetin e tij diplomatik në Shkup.
 
Më herët Petrit Bushati ka qenë ambasador i Shqipërisë në Suedi, në periudhën 1988-1991; ambasador në SHBA në periudhën 1997-2001, si dhe ambasador në Beograd në periudhën 2002-2006.
 
SHPËTIM NUREDINI