Maqedoni
Fillojnë testimet e maturës shtetërore, 16.500 maturantë në provim në gjuhë amtare
26.05.2017 12:51
Prej 27 maj deri më 14 qershor, maturantët do të jenë nën ethet e maturës shtetërore...

Në sesionin e qershorit janë paraqitur gjithsej 16.426 maturantë.
Testimi i parë është ai në gjuhën amtare. Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore për Provime, 5.120 maturantë janë paraqitur për testimin në gjuhën shqipe, 10.632 maturantë për gjuhën maqedonase dhe 418 maturantë për gjuhën turke.
Më 10 qershor është provimi për gjuhë të huaj. Si edhe viteve të kaluara, numri më i madh (15.201) janë paraqitur për gjuhën angleze, për gjuhën frënge 108, për gjuhën gjermane 197 dhe për gjuhën ruse 26 kandidatë.
Testimi për lëndën e matematikës është më 12 qershor dhe për këtë provim janë paraqitur 2.070 maturantë.
Provimi i fundit ekstern i maturës shtetërore do të jepet më 14 qershor – për testin e biologjisë janë paraqitur 3.445, për të kimisë 282, për testin e fizikës 119, për historinë 2.900 kandidatë, për biznes 4.298, filozofi 3.684 dhe për estetikë 193 kandidatë.
8.274 prej numrit të përgjithshëm të maturantëve të paraqitur janë nga drejtimi gjimnaz, 7.881 me arsim të mesëm profesional dhe 271 kandidatë të arsimit të mesëm artistik.
Rezultatet fillestare të testeve duhet të publikohen më së voni deri më 14 korrik, gjegjësisht një muaj pas provimit të fundit ekstern.
LEUNORA KALIQI
