Samiti G7 – Sicili, mblidhen 7 vendet e fuqishme të botës

26.05.2017 14:00

Në Taormina, në ishullin Sicili, sot dhe nesër do të mbahet takimi i kreut të G7....

Shtatë vendet më të fuqishme të botës mblidhen sot në qytetin e Taorminës, në ishullin e Sicilisë, në Itali, për të marrë pjesë në Samitin e G7.

Në një qytet super të blinduar nga masat më të larta të sigurisë, që kanë mobilizuar mbi 7000 mijë trupa policorë e ushtarakë, e nën presidencën e Italisë, krerët e shteteve dhe të qeverive të ShBA-ve, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Japonisë si dhe të përfaqësuesve më të lartë të institucioneve drejtuese të Bashkimit Europian kanë në agjendën e punimeve temat më të rëndësishme të panoramës ndërkombëtare.

I zhvilluar vetëm pak ditë pas atentatit në Manchester, ky Samit ka në qendër të vëmendjes alarmin e rrezikut nga terrorizmi i ISIS-it me synimin e nënshkrimit nga të gjithë pjesëmarrësit të një deklarate të përbashkët në dokumentin final të tij.

Për dy ditë krerët e 7 vendeve më të industrializuara në botë do të diskutojmë mbi problematikën e krizës së emigrantëve, si një element destabilizimi global e jo vetëm si një shqetësim rajonal e që duhet përballuar nga të gjitha vendet.

Gjithashtu në tavolinën e punës do të analizohet raporti i grupit të G7 me qeverinë e Moskës,  çështja e Libisë, Sirisë, Koresë së Veriut, situata e BE-së pas Brexit, si dhe tematika të rëndësishme ekonomiko-financiare.