MPJ e Maqedonisë, notë proteste ambasadores serbe

26.05.2017 15:35

Ministria e Jashtme e Maqedonisë e ka thirrur ambasadoren serbe në Shkup....

Ministria e Jashtme e Maqedonisë e ka thirrur ambasadoren serbe në Shkup, të cilës i ka bërë notë proteste për përfshirjen e këshilltarit të Ambasadën serbe në Shkup, Goran Zhivaljeviç, në incidentet e mbrëmjes së 27 prillit.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë bëjnë të ditur se në takimin me ambasadoren e Serbisë në Maqedoni, Dushanka Divjak – Tomiq, është shprehur pakënaqësi dhe shqetësim për shkak të pranisë së palejuar të diplomatit të akredituar në Kuvend gjatë kohës së sulmeve më 27 prill dhe është kërkuar shpjegim i detajuar për shkaqet dhe rrethanat për praninë e tij.

“Aktiviteti i tillë i personit në fjalë nuk kontribuon për forcimin e besimit të ndërsjellë si dhe për avancimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore. Njëkohësisht është shprehur se në komunikimin e mëtejmë të organeve kompetente të dy shteteve do të shpjegohen dhe konfirmohen të gjitha rrethanat për rastin dhe si rrjedhojë do të merren të gjitha aktivitetet përkatëse, në pajtim me ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare”,- theksojnë nga MPJ-ja.

Ambasadorja serb, sipas MPJ-së, ka konfirmuar angazhimin për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë mes të dy shteteve fqinje, ndërsa janë treguar edhe qëndrimet dhe shpjegimet për deklaratat e mëtejme të kryeministrit dhe kryetarit të ri të Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

Ndryshe, Goran Zhivaljeviq është ish-zëvendësdrejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë Serbe –AIS dhe zyrtar aktual në Ambasadën serbe në Shkup tashmë në mandatin e tretë. Ai ka hyrë në Kuvend pas orës njëzet me grupin e turmës dhe është drejtuar drejt sallës plenare, ku akoma ishin deputetët e VMRO-DPMNE-së. Goran Zhivaleviq në një deklaratë për TV Tellma është arsyetuar se ka qenë i pranishëm në Kuvend pas detyrës zyrtare që të shohë se në incident a kanë marrë pjesë edhe persona nga Serbia, tifozë ose ekstremistë. Përfshirja e diplomatit serb hap dyshime për involvimin e shërbimit sekret, BIA, në incidentet në Kuvend, ashtu siç ndodhi në tentim-atentatin në Mal të Zi, kur u tentua të vritej kryeministri, Milo Gjukanoviç. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)