Maqedoni
Koevski dhe Memeti: të anulohet testimi ekstern
26.05.2017 17:01
Testimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme nuk i dha rezultatet e duhura prandaj ai duhet anuluar...

Testimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme nuk i dha rezultatet e duhura prandaj ai duhet anuluar, vlerëson dekani i Fakultetit Juridik i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Goran Koevski.
Ai thotë se nuk mund të implementohen praktikat nga jashtë pa analizë paraprake.
“Testimi ekstern e dini se ka shkaktuar reagime të mëdha fillimisht te nxënësit e më pas edhe te prindërit. Nëse do të ishte mirë nuk do të kishim dy të tretat analfabetë funksionalë të tinejxherëve. Do të thotë se nuk duhet vetëm të merrni diçka që ekziston në botë, ta implementoni pa përgatitje paraprake dhe të shihni se si do të implementohet në teren dhe çfarë rezultatesh do të japë”,- deklaroi dekani i Fakultet Juridik, Goran Koevski.
I të njëjtit mendim është edhe Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i cili në disa raste ka konstatuar se testimi ekstern cenon edhe të drejtat e nxënësve.
“Të gjitha raportet tona flasin se vendosja e atij sistemi pa përgatitjet e nevojshme, realizimi i atij procesi me shumë probleme shkaktoi shumë probleme te nxënësit dhe dështoj si i tillë. Konstatimi ynë është që testimi ekstern duhet të hiqet krejtësisht dhe nuk jemi si institucion kundër asaj që Maqedonia të krijojë mekanizma përmes të cilëve do ta rrit kualitetin në arsim, por duhet të bëhen përgatitjet e nevojshme dhe procesi të arrijë qëllimin e jo si kjo që ndodhi në të kundërtën”,- theksoi avokati i Popullit, Ixhet Memeti.
Këto vlerësime Koevski dhe Memeti i bënë pas nënshkrimit të memorandumit për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit mes Fakulteti Juridik dhe Avokatit të Popullit.
REXHEP QAMILI
