Tetovë, përfundon studimet gjenerata e 13-të në UELJ

26.05.2017 17:09

Gjenerata e 13-të e studentëve të UEJL-së përfundoi me sukses studimet e saj....

Gjenerata e 13-të e studentëve të UEJL-së përfundoi me sukses studimet e saj. Rektori Dika përshëndeti ata që i cilësoi si gjenerata e së ardhmes, duke u përkujtuar se tani mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha.

“Këshilla ime do t’i referohet Hamletit, “të jesh, apo mos të jesh”. Pikërisht në përgjigjen e kësaj dileme qëndron fuqia e UEJL-së apo vetë fuqia juaj. Ne ju kemi dizajnuar dhe ju kemi dhënë dije, shkathtësi dhe kompetenca, të jeni në gjende të jetoni dhe të krijoni edhe në kontekste të tilla”,- deklaroi rektori i UEJL-së, Zamir Dika.

Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, theksoi se ministria që ai drejton është duke bërë maksimumin që ndikimi i politikës të largohet nga institucionet arsimore.

“Ministria që unë drejtoj, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe me shoqëritë civile, është duke bërë maksimumin për të ardhmen e këtij vendi dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja, duke u përpjekur që një herë e përgjithmonë të largohet ndikimi i politikës në shkolla dhe fakultete, duke i kthyer këto institucione të dijes në tempull të shprehjes së hapur dhe të lirë të debatit konstruktiv, pasi vetëm kështu mund të ecim përpara si shoqëri dhe si komb”,- theksoi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Ceremonia u përmbyll si tradicionalisht me hedhjen në ajër të kapelave nga ana e absolventëve, gjest ky që shënon edhe zyrtarisht hyrjen e të rinjve në jetën pasuniversitare. (Visar Sadiki, TVM2)