MAQEDONI

‘ZLM’ në ruajtje të vlerave historike

29.05.2014 17:44

Historia mban gjallë gjurmët e së kaluarës sonë të lavdishme dhe figurat e ndritura të historisë kombëtare...

Historia mban gjallë gjurmët e së kaluarës sonë të lavdishme dhe figurat e ndritura të historisë kombëtare, por brezat e rinj shumë pak kanë njohuri për ruajtjen dhe kultivimin e këtyre vlerave.
 
Për këtë qëllim nxënësit e gjimnazit “Zef Lush Marku” u përfshinë në projektin për mësimin e trashëgimisë sonë historike përmes veshjeve popullore, sofrës tradicionale, Kanunit të Lekë Dukagjinit, të cilat janë padyshim manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale.
 
Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë informatike ka zbehur interesin e të rinjve për studimin e fakteve historike, thonë profesorët, andaj ky projekt ka për qëllim që të nxisë nxënësit të rikujtojnë historinë kombëtare.
 
“Teknologjia informatike është për çdo lëvdatë, por sa i përket segmentit të parë, kjo moshë nuk di emërimin e disa gjërave qofshin ato veshmbathje, vegla, mendoj se po shohim entuziazëm te të rinjtë dhe te ata që ishin skeptik për të arritur qëllimin”, deklaroi historiani Naser Miftari.
 
Nxënësit thonë se ky projekt i ka motivuar që të ngjallet interesimi për traditat tona kombëtare.
 
“Në këtë projekt ne i prezantojmë veshjet kombëtare, ushqimet tradicionale, që të mos i harrojmë ato”, theksoi një nxënës.
 
“Ky projekt na ka ndihmuar, sepse hulumtimi është përqendruar në njohuritë për ushqimet, veshjet tradicionale, të cilat do t’i përçojmë brez pas brezi”, potencoi një nxënëse.
 
“Të them të drejtën nuk kam pasur dituri për veshjet tona, tani i kam mësuar veshjet e Kosovës, Çamërisë dhe këto dua të trashëgohen nga brezi i ri”, u shpreh një nxënës.
 
Projekti është financuar nga prindërit e nxënësve dhe profesorët, të cilët kanë promovuar në këtë mënyrë  metodat bashkëkohore të mësimdhënies.
 
FLUTURA LATIFI