Maqedoni

Muaji i Ramazanit, qytetarët i filluan përgatitjet

26.05.2017 17:23

Besimtarët myslimanë në Maqedoni po bëjnë përgatitjet e fundit për fillimin e agjërimit të muajit Ramazan...

Xhamitë tashmë janë gati për të pritur besimtarët që këtë muaj shkojnë për të kryer lutjet në numër më të madh. “Mirë se erdhe, o muaji i Ramazanit”,- është mbishkrimi që shihet në të gjitha hyrjet e xhamive.
 
Qytetarët sot ishin më në numër ishin prezentë edhe në treg. Por, ata ankohen se çmimet janë të larta në krahasim me standardin e tyre.
 
“Si çdoherë, përgatitemi për shkak se Ramazani i ka kënaqësitë e veta dhe sot, siç e shihni këtë rrëmujë, po përgatitemi për Ramazan. Çmimet janë të realëta, nuk janë shtrenjta, sipas standardit tonë disa produkte janë të shtrenjta, por në përgjithësi janë të mesme”,- deklaroi një qytetar. 
 
“Si të përgatitemi pa para? Çmimet për ne janë të shtrenjta, rrogat i kemi të dobëta”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Për ata që kanë para është mirë, për ata që nuk kanë u duket shtrenjtë”,- tha një qytetar. 
 
“Jemi duke u përgatitur, jemi duke blerë, çmimet gjithmonë kanë qenë kështu, në krahasim me standardin tonë nuk krahasohen”,- theksoi një qytetar.
 
Ndërkohë, shitësit thonë se çmimet janë ato të zakonshmet, por qytetarët nuk kanë para. 
 
“Po përgatiten për Ramazan dhe ka lëvizje më shumë. Është rritur pak shitja. Çmimet janë më të larta për shkak të kohës. Në krahasim me vitin e kaluar, shitja është pak më e dobët për shkak të papunësisë dhe situatës në përgjithësi”,- deklaroi një shitës. 
 
“Interesim ka, por popullata nuk ka para, të gjithë janë me sociale, shteti nuk ka lëshuar para, shitja në treg është normale”,- tha një shitës. 
 
“Nuk është rritur shumë numri i blerësve, çmimet nuk janë të shtrenjta, por njerëzit nuk kanë para”,- theksoi një shitës.
 
“Javën e fundit është pak më shtrenjtë, gjithçka varet prej asaj se sa ka prodhim dhe sa prej atij prodhimi del jashtë shtetit, nëse mungon malli atëherë është më shtrenjtë, pa marrë parasysh a ka festë apo nuk ka festë”,- tha një shitës. 
 
Organizatat joqeveritare edhe sivjet do të shtrojnë sofra të iftarit për skamnorët. Gjatë 30 ditëve të agjërimit, në Çarshinë e Shkupit do të ofrohen iftare  të ndryshme në mënyrë që rreth 100 nevojtarë në ditë të kenë mundësi të shijojnë këtë muaj si gjithë të tjerët. 
 
GAZMEND KURTISHI