Maqedoni
Besimtarët islamë fillojnë Ramazanin, mesazh urimi nga kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi
26.05.2017 18:39
Besimtarët myslimanë fillojnë sonte agjërimin për muajin e madhërishëm të Ramazanit...

Në mesazhin e tij, kreu i Bashkësisë Islame, Sulejman Rexhepi, ka ripërkujtuar rëndësinë e këtij muaji që fillon me zbritjen e ajetit të parë kuranor, që urdhëroi të dërguarin e Zotit “Lexo në emër të Zotit tënd që të krijoi”.
Rexhepi përkujtoi rëndësinë e të mësuarit duke rikujtuar gjithashtu të jemi të kujdesshëm se si sillemi me të tjerët e të mos nëpërkëmbim askënd, por të ndihmojmë sa herë që kemi mundësi, dhe kjo, sipas kreut të BIM-it, nuk vlen vetëm për këtë muaj të bekuar.
“Në Muajin e Ramazanit, Allahu fuqiplotë, mbi çdo gjë, përparësi i dha dijes; na urdhëroi që të lexojmë, të mësojmë, të ngrihemi intelektualisht, sepse po e zbriste një libër të cilin nuk do të ishte në gjendje ta shkruajë asnjë pendë, qoftë edhe një fjali prej tij. Pastaj, po në këtë muaj krijuesi ynë na e urdhëroi agjërimin, ashtu siç ua kishte urdhëruar edhe atyre që ishin para nesh. Agjërim do të thotë abstenim, i cili shtrihet përtej ushqimit, pijeve dhe marrëdhënieve intime, duke na përballur me të gjitha veprimet të cilat na i ka ndaluar Allahu fuqiplotë... Gjatë muajit të agjërimit duhet të jemi sa më të pastër e të çiltër pranë Zotit të plotmëshirshëm… Do ta arrijmë kënaqësinë e krijuesit tonë vetëm atëherë kur para tij gjithmonë do të jemi të sinqertë, të dashur dhe humanistë; të sinqertë në raport me urdhrat e tij, të dashur në raport me krijesat e tij, si dhe humanistë në raport me skamnorët, të varfrit, jetimët, bonjakët... Lus Allahun xh. sh. me gjithë shpirt që ky muaj të na gjejë sa më të përgatitur shpirtërisht, sa më të devotshëm dhe të vullnetshëm në kryerjen e ibadeteve dhe obligimeve tona fetare. Ju qoftë përhajër ky muaj i bekuar dhe kalofshi ditë të mbara në agjërim e ibadete gjatë këtij muaji, si dhe gjatë tërë jetës suaj. Paçi bekimin e Zotit fuqiplotë”,- deklaroi kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi.
