Botë
Beograd, në mëngjesin e sotëm u rrënua një xhami
26.05.2017 19:05
Një ditë para fillimit të Muajit të Ramazanit, autoritetet serbe kanë rrënuar një xhami në Fushën e Zemunit në Beograd...

Myftia i Sremit dhe kryeimam i Mexhlisit të Zemunit, Emin Zejnullahu, ka bërë të ditur se objekti është rrënuar rreth orës tre të mëngjesit në prani të shumë policëve dhe pjesëtarëve të xhandarmërisë, ndërsa energjia elektrike dhe interneti në të gjithë zonën ka qenë i shkyçur.
Imami Zejnullahu po ashtu ka theksuar se komuna e Zemunit ka dhënë leje për rrënim ndonëse premtoi se javën e ardhshme do të negociojë për atë se si të zgjidhet problemi i legalizimit të kësaj xhamie.
“Më vjen keq që nuk u respektua edhe ajo që ishte thënë, të prishet vetëm kulmi dhe shtat rende të tullave, ndërsa u shkatërrua i tërë kati që është në proces të legalizimit”,- u shpreh kryeimami i Mexhlisit të Zemunit, Emin Zejnullahu.
Ai u bëri thirrje myslimanëve në Serbi që pa marrë parasysh situatën, të qëndrojnë të qetë.
Zejnullahu rikujtoi se Bashkësia Islame ka dorëzuar kërkesë për legalizimin e objektit dhe pa leje ndërtoi çatinë dhe nënkulmin, por mbrëmë, përveç kësaj, është rrënuar edhe kati i parë i objektit.
“Ne nuk do të bëjmë problem, ne do të falemi në rrugë derisa shteti nuk na del në ndihmë”,- tha Zejnullahu.
Rrënimi i objektit ishte planifikuar për dje në mëngjes. Megjithatë, besimtarët e penguan ekzekutimin e vendimit, prandaj rrënimi i xhamisë u bë gjatë natës.
Bashkësia Islame e Serbisë dhe banorët e lagjes thonë se në Zemun më shumë se 500 shtëpi nuk kanë leje ndërtimi, ashtu si edhe kisha e cila ekziston në atë pjesë të qytetit, por asnjëra nuk është rrënuar.
Por, Goran Vesiç nga komuna e Beogradit ka deklaruar se xhamia është rrënuar në përputhje me ligjin, pasi ka qenë e ndërtuar në mënyrë jolegale, ndërsa ka paralajmëruar se do të gjendet zgjidhje rreth nevojës së besimtarëve të atjeshëm në koordinim me udhëheqësit e komunitetit mysliman.
GYLTENE SINANI
