Maqedoni
BDI dhe LSDM merren vesh për qeverinë e re
28.05.2017 17:40
Pas publikimit të emrave që do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeverisës nga ana e BDI-së mandatari Zoran Zaev në selinë e partisë së tij ka pritur kreun e BDI-së Ali Ahmetin...

Ky i fundit pas takimit tha se kanë biseduar për përbërjen e Qeverisë së re dhe për zgjidhjet kadrovike të propozuara ndërsa LSDM-ja pritet që për emrat të vendos në mbledhjen e Këshillit qëndrorë.
“Diskutuam edhe për qasjen serioze që duhet bërë në drejtim të ndërtimit të shtetit ligjorë të sundimit të ligjit, mbi reformat që kërkohen në gjyqësi. Angazhimin tonë dhe të qeverisë së ardhshme reformatore drejt vendosjes së mardhënieve sa më të mira midis fqinjëve dhe rritjen e besueshmërisë midis komuniteteve në vendion tonë si dhe angazhimin tonë drejt antarsimit në NATO dhe BE”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
“Sot shpresoj se do të jetë dita përfundimtare për përcaktimin e vendimeve kadrovike dhe ndarjen e resoreve. Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit si partia më e madhe me partnerët tanë të koalicionit pasi ne kemi koalicion prej 17 partive do të propozojmë listën në Kuvend për të gjithë kabinetin dhe programin e ri të qeverisë së re”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
I pyetur nëse pret reagime nga LSDM-ja për propozimet kadrovike, lideri i BDI-së tha se mandatari ka mundësi që në çdo moment t’i shqyrtojë ato, ndërsa mandatari Zoran Zaev tha se ka informacion se ndonjë nga kandidatët e BDI-së mund të jetë në listën e të dyshuarve, dhe se këtë pyetje duhet drejtuar PSP-së.
“Sa i takon pastërtisë apo biografisë së kandidatëve për ministra, kryeministri i ardhshëm z.Zaev do të kërkojë nga gjitha institucionet e vendit mendim dhe verifikim për gjithë kandidatët për ministra përfshirë këtu njëpërnjë edhe kandidatët nga BDI”, shtoi Ali Ahmeti.
“Mund kontrolloni, le të jap mendimin e tyre vet Prokuroria Speciale Publike. Përmes tyre mund ta konfirmoni një gjë të tillë. Ju e dini që materialet i dorëzuam për të gjithë. Na lejoni që të bisedojmë”, shtoi Zoran Zaev.
Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim mbrëmë vendosi të propozoj Hazbi Likën për Zv/kryeministër për Sistem Politik e Marrëdhënie mes Komuniteteve. Zëdhënësi i partisë Bujar Osmani është propozuar për Zv/ kryeministër për euro-integrime. Me dikasterin e ekonomisë do të udhëheq Kreshnik Bekteshi. Me dikasterin e drejtësisë do të udhëheq Bylent Salihu anëtarë i kryesisë qendrore të BDI-së. Ndërsa nënkryetari i BDI-së dhe njëherit kryetar i Komunës së Likovës, Sadulla duraku do të udhëheq me Ministrinë e ekologjisë. Me minsirinë e shëndetësisë dhe pushtetin vendorë do të udhëheqë Aleanca për Shqiptarët ndërsa kush do ti drejtojë do të vendosin në kryesinë qëndrore.
NAIM RAMADANI
