Përbërja e re, seanca për qeverinë është caktuar për të martën

29.05.2017 09:57

Kryetari i ri i Parlamentit, Talat Xhaferi, seancën për zgjedhjen e përbërjes së re qeveritare e ka caktuar për nesër në orën 11:00...

Kryetari i ri i Parlamentit, Talat Xhaferi, seancën për zgjedhjen e përbërjes së re qeveritare e ka caktuar për nesër në orën 11:00, pasi mandatari, Zoran Zaev, mbrëmë në Kuvendin Republikan ka dorëzuar propozim-programin dhe propozim-përbërjen për qeverinë e re për votim.

Nga kabineti i kreut të ri të Parlamentit, Talat Xhaferi, kanë njoftuar se edhe propozim-programi si dhe propozim-përbërja e re qeveritare janë dorëzuar edhe tek deputetët në Kuvendin Republikan.

Qeveria e re do të ketë 15 resore ministrore dhe dy zëvendëskryeministra. Janë  gjithsej 10 resore ministrore të cilat do të drejtohen nga LSDM, Radmilla Sheqerinska - ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski i Punëve të Brendshme, Dragan Tevdovski - i Financave, Nikolla Dimitrov - i Punëve të Jashtme, Renata Deskovska –ministre e Arsimit, Lubço Nikollovski - ministër i Bujqësisë, me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale do ta drejtojë Milla Carovska, ministër i Kulturës do të jetë Robert Allagjazovski, i Shoqërisë Informatike, Damjan Mancevski, i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.