Botë

Filipine, ngrihet flamuri i ISIS-it, ushtria shpall luftë, 100 të vdekur në Marawi

29.05.2017 14:20

Ushtria e Filipineve intensifikoi ndjeshëm operacionet në Marawi, për të dëbuar militantët që i shpallën besnikëri “Shtetit Islamik”...

Prej 6 ditësh, ushtria lufton në rrugët e qytetit kundër terroristëve, që u shfaqën befas nga hiçi, duke shkaktuar kaos dhe duke terrorizuar popullsinë. Bilanci i viktimave është ende i paqartë, por flitet për më shumë se 100 të vdekur, pjesa më e madhe e të cilëve terroristë.

Mijëra njerëz janë larguar për t’iu shpëtuar luftimeve në Marawi.

Dhuna shpërtheu më 23 maj, kur ushtria nisi një operacion për të kapur Isnilon Hapilon, një udhëheqës militant në Filipine, i cili vitin e shkuar u caktua si emiri i “Shtetit islamik” për Azinë Juglindore.

I rrethuar dhe në vështirësi, Hapilon i kërkoi ndihmë grupit “Maute”, një organizatë lokale islamike që është zotuar për besnikëri ndaj “Shtetit Islamik” dhe që dërgoi me qindra militantë në Marawi.

Militantët ngritën flamurin e “Shtetit Islamik” në ndërtesat e qytetit dhe kjo alarmoi tej mase autoritetet, që janë përgjigjur me “grusht të hekurt”.

Ushtria po përdor helikopterët dhe artilerinë për të bombarduar militantët, madje duke injoruar edhe sigurinë e civilëve të pafajshëm.

Prania e grupeve islamike dhe kriminale në Filipine, Malajzi dhe Indonezi nuk është gjë e re, por kurrë më parë nuk ishte kryer një sulm kaq i guximshëm prej tyre, duke rritur shqetësimin se luftëtarët besnikë ndaj “Shtetit Islamik” po shtojnë ndikimin e tyre në juglindje të Azisë.

MIGENA GORENCA