Agjencia për Punësim, konkurs për 400 grande për vetëpunësim

29.05.2017 15:17

Agjencia për Punësim ka shpallur konkurs për ndarjen e grandeve për vetëpunësim...

Konkursi parasheh që qytetarët të cilët kanë ide për vetëpunësim të mund të përfitojnë grande prej 4 mijë eurosh. Konkursi do të zgjasë 15 ditë, ndërsa bazuar në përvojat paraprake, nga Agjencia për Punësim vlerësojnë se kjo është një mundësi e mirë për vetëpunësim të qytetarëve të cilët kanë ide për biznes. 
 
“Bëhet fjalë për grand prej 4000 euro, i pakthyeshëm. Deri tani nga viti 2007 deri në vitin 2016 janë hapur 8630 biznese të tilla. Kështu që është një mundësi shumë e mirë për të interesuarit në këtë konkurs”,- deklaroi zëvendësdrejtori i Agjencisë për Punësim, Arben Ziberi.
 
Drejtori i Agjencisë, Vllatko Popovski, vlerëson se zgjedhja e qeverisë së re nuk e rrezikon implementimin e këtij projekti, pasi mjetet për financim të këtyre projekteve janë ndarë më herët.
 
“Në buxhetin e këtij viti janë paraparë që 1 milion e 454 mijë euro, të cilat janë grande nga BE për zmadhimin e kapacitetit të personave të rinj, ashtu që paratë janë të siguruara, ndoshta Qeveria e re mund të ofrojë ide të reja, të përmirësohet plani operativ, por këto masa kanë qenë mjaft profitabile”,- theksoi  drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski.
 
Ky është cikli i dytë i këtij konkursi, i cili parasheh financimin e 400 personave që kanë ide për vetëpunësim. Në ciklin e parë nga ky grand kanë përfituar 600 persona. (Ersan Pajaziti, TVM2)