Maqedoni
“Lagja e trimave”, të akuzuarit bojkotojnë seancën gjyqësore
29.05.2017 15:23
Të revoltuar nga rrjedha e deritanishme e procesit gjyqësor, përfshirë vendimin e trupit gjykues për të mos pranuar dëshmitarët..

Të revoltuar nga rrjedha e deritanishme e procesit gjyqësor, përfshirë vendimin e trupit gjykues për të mos pranuar dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse, të akuzuarit në rastin e Kumanovës vendosën të bojkotojnë seancën e sotme gjyqësore.
Ata paraprakisht kërkuan edhe përjashtimin e këtij trupi gjykues dhe prokurorëve në këtë rast, por kjo u refuzua, prandaj të akuzuarit një nga një deklaruan se duan ta lëshojnë gjykimin pasi vlerësuan se nuk u lejohet të mbrohen dhe se gjykatësja nuk dëshiron që ta shpalosë të vërtetën. Njëri nga të akuzuarit tha se pranon të marrë pjesë në seancë nëse janë prezentë edhe organizatorët.
“Pas mospranimit të propozimit nga Këshilli gjyqësor të pjesës më të madhe të parashtresave dhe dëshmive të cilat i propozuam, në mesin e të cilëve edhe personalitete politike dhe funksionarë të lartë të Maqedonisë, të akuzuarit vlerësojnë se nuk mund të dëshmohet e vërteta për ndodhitë në “Lagjen e trimave”, ata e bojkotuan seancën e sotme dhe u larguan nga seanca. Njëra nga arsyet për bojkot të të akuzuarve është vendimi për mospërjashtimin e Trupit gjykues”,- deklaroi avokati mbrojtës, Lupço Veselinovski.
Por, prokurorja e angazhuar në këtë rast, Villma Ruskoska, fajin për mospranimin e dëshmive ua lë avokatëve, të cilët, sipas saj, nuk kanë vepruar në bazë të ligjit dhe se dëshmitë i kanë propozuar me vonesë.
“Të gjithë ata emra të politikanëve ishin të njohur për mbrojtjen edhe në periudhën e hetuesisë .Sipas Ligjit për procedurë penale, nuk ka mundësi ligjore që ajo që ka qenë e njohur gjatë hetuesisë të propozohet si dëshmi plotësuese”,- theksoi prokurorja e rastit, Villma Ruskoska.
Avokati Veselinovski tha se është e drejta e të akuzuarve nëse edhe më tej do të bojkotojnë gjykimin, por jo edhe avokatët mbrojtës, pasi mund të dënohen me pagesë të shpenzimeve të mbajtjes së seancës gjyqësore që sillet rreth 40 mijë euro. Mbrojtja edhe më tej do të propozojë dëshmi për rastin, edhe pse paraprakisht trupi gjykues u ka refuzuar 98% të dëshmive të propozuara, ndërsa prokurorisë i ka pranuar 100% të dëshmive. Së fundmi avokatët kërkuan përjashtimin e një anëtari porotë nga trupi gjykues për shkak të lidhjes familjare me bashkëshorten e njërit prej të akuzuarve. Propozimi i tillë u refuzua për shkak të mungesës së dëshmisë për të vërtetuar të njëjtën.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 31 maj.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
