Maqedoni
Rasti “Talir”, Gjykata Penale sërish refuzoi kërkesën e PPS-së
29.05.2017 15:49
Këshilli Penal për krim të organizuar dhe Korrupsion pranë Gjykatës Penale për herë të dytë refuzoi kërkesën....

Këshilli Penal për krim të organizuar dhe Korrupsion pranë Gjykatës Penale për herë të dytë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Publike Speciale për ngrirje të pronës së paluajtshme të VMRO-DPMNE-së, përfshi edhe selinë partiake.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme se prona e partisë është financuar në mënyrë të kundërligjshme dhe se PPS nuk ka dhënë dëshmi se është kryer donacion nga Kompania “Beton”. Goran Boshevski, Lenka Davitkova dhe Verka Petkovska janë gjykatësit e radhës që për herë të dytë kanë refuzuar kërkesën e PPS-së. Gjatë refuzimit të parë të kërkesës për ngrirje të pronës, gjykata ka thënë se nuk kanë transkript nga bisedat e përgjuara. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, është i dyshuari i parë në rastin e fundit të hapur nga PPS nën emrin “Talir” e që ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë së Gruevskit, me anë të shpëlarjes së parave, keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve.
Ndryshe, PPS kërkoi ngrirje të pronës pasi që ligji për financimin e partive nuk lejon që donator i partisë të jetë kompania e cila ka fituar tender nga shteti, siç është rasti me Kompaninë “Beton”.
SANIJE DURAKU
