Botë

Macron pret homologun Putin, përballja u vlerësua si “dialog pa lëshime”

29.05.2017 16:09

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pritur në Versajë homologun e tij rus, Vladimir Putin...

Takimi i parë mes dy udhëheqësve, sipas gazetës “Le Monde”, është një përballje për “dialog pa lëshime”.

Dy krerët e shteteve diskutuan mbi një listë të gjatë subjektesh ndërkombëtare, për t’i dhënë shtysë marrëdhënies dypalëshe të pllakosur nga “mosbesimi reciprok”, siç e ka përkufizuar më parë vet presidenti rus.

Bisedimet nuk kanë qenë të lehta. Nuk ka shumë që stafi i fushatës së presidentit francez akuzoi agjentët rusë për ndërmarrjen e disa sulmeve kibernetike, me qëllim dëmtimin e imazhit të 39-vjeçarit, ndërsa garonte për çelësat e “Elizesë”.

Në Samitin e G7-s në Sicili, megjithatë, Macron deklaroi se është “thelbësore të bisedohet me Moskën, sepse ka shumë çështje ndërkombëtare që nuk mund të zgjidhen pa u përfshirë në dialog me të”.