Maqedoni

Ivanov: BE të hapë kapitujt 23 dhe 24

29.05.2017 17:16

Presidenti, Gjorge Ivanov, ka realizuar një takim pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian në Maqedoni...

Në takim, siç njoftoi kabineti i Ivanovit, janë këmbyer mendime për zhvillimet aktuale në vend, me ç’rast ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së e kanë përshëndetur vendimin e presidentit Ivanov për ndarjen e mandatit për konstituimin e Qeverisë së Maqedonisë, me çka hapet mundësia për normalizimin e situatës dhe stabilitetit politik në vend.
 
Në takim është theksuar pritja e ndërsjellë që qeveria e re në prioritetet e veta ta ketë agjendën e BE-së, gjegjësisht reformat të cilat do ta përshpejtojnë integrimin e Maqedonisë në BE.
 
Presidenti Ivanov e ka riafirmuar përkushtimin e Maqedonisë për fillimin e negociatave inkuadruese me BE-në, si një prej prioriteteve më të larta strategjike.
 
Ivanov me këtë rast ka theksuar nevojën që Bashkimi Europian të bëjë një hap dhe të përcaktojë datën për fillimin e negociatave inkuadruese me Maqedoninë, gjegjësisht të mundësojë hapjen e kapitujve 23 dhe 24.
 
"Hapja e negociatave në kapitujt 23 dhe 24 për gjyqësinë, të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria do ta japin shtysën e nevojshme për intensifikimin e proceseve reformuese. Status quo-ja nuk guxon të vazhdojë. Ne na nevojitet fuqia transformuese e procesit inkuadrues, si dhe fuqia bashkuese e procesit për ballafaqim me polarizimin e thellë politik në vend",- ka deklaruar Ivanov në takim.
 
Ai ka përsëritur nevojën që liderët e partive parlamentare të tregojnë përgjegjësi dhe ta ripërtërijnë përkushtimin për Maqedoni europiane dhe euroatlantike, ndërsa prioritet t'u jepet ligjeve dhe vendimeve të agjendës europiane.
 
Në takim është bërë fjalë edhe për sfidat kyçe me të cilat ballafaqohet Maqedonia dhe rajoni, siç janë kriza e emigrantëve dhe e sigurisë, radikalizmi ekstremist dhe retorika nacionaliste në rritje në rajon.
 
GAZMEND KURTISHI