Maqedoni

Kuvendi nesër zgjedh qeverinë e re; Zaev: nesër zgjidhet qeveria reformatore; Gruevski: kontrabandohet qeveri anti-reformë

29.05.2017 18:04

Kuvendi i Republikës të martën fillon debatin për programin e Qeverisë së re dhe përbërjen e kabinetit qeveritar...

Mandatari, Zoran Zaev, tanimë i parashtroi Kuvendit Propozim-programin dhe Propozim-përbërjen e qeverisë së re. Sipas tij, votimi i qeverisë dhe programit mund të ndodh më herët sesa afati i paraparë me rregullore.   
 
“Afati për t’u zgjedhur qeveria e re është 48 orë, kështu që presim që deri të mërkurën në mbrëmje duhet të përfundojmë me zgjedhjen e qeverisë. Këto janë afatet maksimale. Shpresoj se nuk do të duhet të shfrytëzohen afatet në maksimum, pasi praktika dëshmon se kjo mund të mbarojë edhe më shpejtë”,- deklaroi mandatori, Zoran Zaev.
 
Formimi i ekipeve për zbatimin e reformave dhe zbatimi i masave për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve do të jenë dy prioritetet e para të qeverisë re.
 
Nga ana tjetër, kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, e cilësoi kantrabandim formimin e shpejtë të kabinetit qeveritar dhe caktimin e menjëhershëm të seancës. Sipas tij, ekipi qeveritar nuk është reformator, madje ka anëtarë të inkriminuar.
 
“Bëhet fjalë për formim të shpejtë të përbërjes së qeverisë që do të duhet të kënaq apetitet e njerëzve në krye të partive, pa u parë përgatitja e tyre, përvoja në të kaluarën. Shumë prej tyre janë me afera krimi në punën e tyre të deritanishme. Kështu që nuk mund të bëhet fjalë për qeveri reformuese”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Në prag të seancës për zgjedhjen e qeverisë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, mbajti takim koordinues me përfaqësuesit e partive politike.
 
Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha partive parlamentare, përveç VMRO-DPMNE-së.
 
Në takimin me spikerin, Xhaferi është dakorduar për renditjen e fjalimeve të përfaqësuesve të partive pas fjalimit të mandatorit.
 

SHPËTIM NUREDINI