Botë
Sri Lanka, mbi 170 të vdekur nga rrëshqitja e dheut
30.05.2017 11:42
177 të vdekur është bilanci i viktimave në Sri lanka si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, ndërsa më shumë se 100 të tjerë janë shpallur të humbur...

Operacione shpëtimi po zhvillohen në shumë zona dhe autoritetet presin që situata të përkeqësohet edhe më shumë, ndërsa ekipet e emergjencave mbërrijnë në fshatra të izoluara.
Mësohet se të paktën gjysmë milioni njerëz janë detyruar të braktisin banesat e tyre për shkak të përmbytjeve, ndërsa rreth 48 000 banesa janë shkatërruar apo dëmtuar.
Një nga zonat e goditura më rëndë është qyteti i Ratnapurës, vetëm 70 km larg kryeqytetit Kolombo, i cili u mbulua nga tre metra ujë.
“Në këtë moment u bëj thirrje njerëzve që të ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe që janë dëmtuar nga fatkeqësia pa menduar për racën, fenë apo përkatësinë e partive politike”,- u shpreh ish-presidenti i Sri Lankës, Mahinda Rajapaksa.
Autoritetet kanë nisur shpërndarjen e ndihmave dhe ushqimeve për të pastrehët, ndërsa në ato pak zona ku ujërat janë tërhequr, banorët janë kthyer për të gjetur vetëm shkatërrimin e lënë pas nga kjo katastrofë natyrore.
Banorët në shtatë rrethe me popullsi të dendur në jug dhe qendër të Sri Lankës u kërkua që të largoheshin nga rajonet e paqëndrueshme në rast të rrëshqitjeve të mëtejshme të tokës.
Departamenti i meteorologjisë në Gjirin e Bengalit parashikon shi rrebesh gjatë 36 orëve të ardhshme.
GAZMEND KURTISHI
