Agjenti serb Zhivaljeviq koordinohej me deputetin Stoilkoviq
Rrjeti serb për hulumtimin e krimit dhe korrupsionit “Krir”, ka publikuar një dokument për të cilin thotë se është raport nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim e MPB-së së Maqedonisë.

Rrjeti serb për hulumtimin e krimit dhe korrupsionit “Krir”, ka publikuar një dokument për të cilin thotë se është raport nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim e MPB-së së Maqedonisë.
Në dokument shihet biseda e regjistruar midis agjentit dhe oficerit për lidhje të shërbimit sekret serb BIA, Goran Zhivaljeviq, dhe deputetit të partisë serbe në Maqedoni, Ivan Stoilkoviq. Në transkriptë përmendet analisti serb, Mirosllav Llazanski, që ka qenë i pranishëm në mediat maqedonase dhe serbe me analiza që kanë qenë në favor të VMRO-DPMNE-së, në dëm të LSDM-së dhe shumicës së re parlamentare. Ata në bisedë shihet se si kanë folur për plane dhe skenare, shkrime të porositura që do të shpërthejnë në mediat serbe dhe që do të nxisin tensione në Maqedoni, përcjellë me frymë antishqiptare. Përveç kësaj, flitet edhe për takimin e planifikuar mes gazetarit dhe deputetit të Vuçiqit, Mirosllav Lazanskin, me liderin e VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevskin.
Pas publikimit të skenarit serb për destabilizimin e Maqedonisë ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se është e turpshme që Maqedonia ka mundësuar publikimin e bisedave të përgjuara të deputetit Stoilkoviq. Por, sipas Vuçiqit, nuk është fajtore Maqedonia, por shërbimi perëndimor. Ai thotë se në Serbi nuk publikohen në media bisedat e përgjuara, të cilat realizohen në përputhje me ligjin.
Ndërsa ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka deklaruar se Maqedonisë po i pengojnë inteligjentët serbë, por jo edhe amerikanë, gjermanë dhe francezë. Reagimi i Daçiçit erdhi pasi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë e ka thirrur ambasadoren serbe në bisedë informative, Dushanka Divjak - Tomiç, për të shpjeguar praninë e Goran Zhivaljeviq - këshilltar në Ambasadën serbe dhe punonjës në Agjencinë e Sigurimit të Informacionit në Parlamentin e Maqedonisë, - më 27 prill kur protestuesit sulmuan deputetët dhe gazetarët.
