Maqedoni
Dita Botërore Kundër Duhanit, qytetarët e Maqedonisë duhanpirës të mëdhenj
30.05.2017 16:29
“E ndërpreva pirjen e duhanit që në moshën 45 vjeçe. Arrita të kuptoj se cigarja dhe tymi e dëmton seriozisht shëndetin tim dhe të të tjerëve përreth meje”...

Kjo grua është ndër të rrallët që e ka lënë duhanin pa e dëmtuar shëndetin paraprakisht. Sipas të dhënave statistikore në Maqedoni, rreth 20% e kanë lënë përgjithmonë cigaren.
Hulumtimi i ri i Institutit për Shëndet Publik i bërë në prag të shënimit të Ditës Botërore Kundër Duhanit, 31 majit, ka treguar se qytetarët e vendit gjithnjë e më shumë po pinë duhan dhe janë në grupin e duhanpirësve të mëdhenj me 46,1%. Këtë vit, për dallim nga vitet e kaluara, shënohet ulje e vogël e konsumimit të cigareve tek adoleshentët deri më 15 vjeç, por vazhdon të shqetëson fakti që cigarja e ndezur shpeshherë mund të shihet në duart e më të vegjëlve.
“Gjithsej 46.1% e popullatës së Maqedonisë janë duhanpirës aktivë të duhanit, ndërsa 53.9 janë joduhanpirës. Prej tyre 54% janë burra, ndërsa 33% gra. Kontrollimi i duhanit dhe përdorimi i tij sa më i vogël pa dyshim se kontribuon në shëndet më të mirë tek qytetarët”,- deklaroi Silvana Onçeva nga IShP.
“Kemi ulje të vogël të pirjes së duhanit tek adoleshentët, por kjo nuk është e mjaftueshme, pasi që ata në asnjë mënyrë nuk duhet të pinë cigare. Ky hulumtim gjithashtu zbuloi disa raste të veçanta kur nga një ose dy cigare në ditë pinë fëmijët nën moshës 10 vjeçe dhe kjo gjë duhet ndërpritet urgjentisht në mesin e fëmijëve”,- u shpreh Elena Qosefa nga IShP.
Por, për të anketuarit e tjerë të TVM-2 ndërprerja e duhanit është mision i pamundur. Disa prej tyre nuk besojnë se agjërimi gjatë këtij muaji mund t’i çojë deri në braktisjen e përhershme të vesit të keq.
“Kam provuar disa herë t’i lejë cigaret, por pa sukses. 40 vjet jam duhanpirës aktiv, gjatë muajit të Ramazanit dhe agjërimit nuk pi cigare as pas iftarit, por pas përfundimit të tij menjëherë e filloj duhan”,- theksoi një qytetar.
“Pi cigare prej 18 vjet dhe deri tani nuk kam pasur probleme shëndetësore. Nuk kam provuar dhe as që kam ndërmend ta lej cigaren. Pa cigare nuk ka jetë për mua”,- tha një qytetar.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 6 milionë njerëz vdesin për çdo vit nga sëmundjet lidhur me duhanin, ndërsa pritjet e kësaj organizate janë se deri në vitin 2030 ky numër të ngrihet në 8 milionë njerëz.
REXHEP QAMILI
