Maqedoni

Rasti “Monstra”, anulohet seanca, Prokuroria kërkon fakte të reja

30.05.2017 16:50

Kryetari i Këshillit Gjyqësor i angazhuar për rastin “Monstra” e ka anuluar seancën e sotme për më 9 qershor, me arsyetimin se mungon avokati mbrojtës, Naser Raufi...

Prokurorja publike e angazhuar për këtë rast në instancën e gjykatëse supreme në Shkup, ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor në këtë rast të veprojë në mënyrë të drejtë dhe ligjore, dhe të kërkojë fakte të reja që posedon Prokuroria Speciale për këtë rast.
 
Këshilli Gjyqësor nuk e pranoi kërkesën e Prokurorisë publike dhe palës mbrojtëse për anulim të seancës së ardhshme në afat kohor më të gjatë me qëllim sigurimin e dëshmive të cilat i posedon Prokuroria Speciale.      
                                                               
“Ne, që të jemi të sigurt duhet t’i kemi të gjitha të njohurat të cilat edhe ju si publik jeni të njoftuar se ekzistojnë për këtë rast, pa marrë parasysh nëse ato fakte do të kenë përfshirje direkte apo indirekte në këtë ngjarje. Edhe mua parimi i legalitetit dhe procedimit ligjor në secilën vepër penale më obligon të kërkoj këtë nga Gjykata Supreme. Ndërsa në veçanti obligon Gjykatën Supreme, si gjykatë e instancës më të lartë në Maqedoni, se vendimet e tij duhen të jenë të drejta dhe drejtë të parashikueshme, kjo do të thotë të bazohen në dëshmi për çdo lëndë juridiko-penale”,- theksoi prokurorja themelore, Biljana Spasovska.                
                                                                                   
“Kërkesa ime ishte të anulohet për periudhën më të gjatë kohore që ishte mbështetur nga ana e Prokurorisë, që u thirr në nenin 361, që Gjykata në bazë të detyrës zyrtare është e obliguar t’i drejtohet institucioneve, konkretisht Prokurorisë Speciale për sigurimin e dëshmive për të cilat e gjithë publiku e di se i paralajmëroi Prokuroria Speciale”,- theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.                                                                                           
Për familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” kërkesa e prokurores publike në këtë rast zgjoi ndjenjat e shpresës se rasti përfundimisht do të marrë kahjen e duhur, të zbardhet e vërteta dhe të lirohen të akuzuarit.      
                                                           
“Ishte koha e fundit që Prokuroria e Përgjithshme të japë një mendim të vetin në lidhje me këtë dhe të mendojë ligjërisht. Mendoj se janë zgjuar dhe mendoj se duhet të kenë përgjegjësi, prandaj sot pamë një vendim që ishte në favor të drejtësisë ku Prokuroria e Përgjithshme kërkon fakte të reja duke e ditur se Prokuroria Speciale posedon shumë material lidhur me këtë rast që të mund të thirren në drejtësi dhe jo në direktiva të partisë apo ish Qeverisë”,- u shpreh familjari, Bedri Ajdari.  
                                                                                                    
Më 12 prill të vitit 2012, në liqenin e Smilkovcës në rrethin e Shkupit u vranë katër të rinj nga Radishani dhe një peshkatar nga Cresheva.
 
Para tre viteve, Gjykata Penale gjashtë të akuzuarit, Alil Demirin, Afrim Ismailloviqin, Agim Ismailloviqin, Fejzi Azirin, Haki Azirin dhe Sami Lutën i dënoi me burg të përjetshëm, por ata vazhdimisht kanë mohuar akuzën për vrasjen e pesëfishtë.
 
Ata kanë kërkuar që rasti t’i kalohet Prokurorisë Speciale, pasi lideri socialdemokrat, Zoran Zaev, ka bërë të ditur se ekzistojnë biseda të përgjuara që kanë të bëjnë me këtë rast, të cilat i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI