Maqedoni
Seancën plenare për zgjedhjen e qeverisë së re kryeparlamentari Xhaferi e hapi në gjuhën shqipe
30.05.2017 17:46
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, për herë të parë në gjuhën shqipe hapi seancën plenare në të cilën pritet të zgjidhet qeveria e re...

Por, kjo aspak nuk u pëlqeu deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe reagimet e tyre ishin të menjëhershme.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, i cili Xhaferit iu drejtua me deputet e jo kryeparlamentar, tha se ai me paraqitjen e tij në gjuhën shqipe ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren për punën e Kuvendit.
“I vetëdijshëm për të gjitha sfidat me të cilat do të ballafaqohem në kryerjen e kësaj detyre, i vetëdijshëm për të gjitha obligimet që kam marrë përsipër, unë do të çmoj situatën e krijuar për të, mund t’i japim sinjalin e parë asaj çka për marrëdhëniet tona është e nevojshme si tolerancë, për të më mundësuar që procesi parlamentar të zhvillohet konform marrëveshjes për koalicionim... Punimet e kësaj seance deri në miratim të Ligjit për gjuhët do t’i vazhdoj në gjuhën maqedonase dhe kjo të jetë pikënisja e re e punës së shumicës së re parlamentare, e cila duhet të rezulton me mbështetje gjithëpërfshirëse të deputetëve, qytetarëve të RM-së për punën tonë”,- deklaroi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
“Ky Kuvend dhe kjo seancë për fat të keq filluan me një njollë të madhe politike jodemokratike, e cila do të rëndojë mbi deputetin, Talat Xhaferi, sepse deri më tani ai është i vetmi i cili pranoi një rol në mënyrë jodemokratike, jolegjitime dhe të kundërligjshme, si dhe të jetë kryeparlamentar i kontrolluar i Kuvendit”,- u shpreh Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Por, Xhaferi në kundërpërgjigjet e tij theksoi se ai është zgjedhur nga shumica parlamentare në mënyrë legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe rregulloren për punën e Kuvendit do ta ushtrojë funksionin e tij si kryetar i Kuvendit.
Xhaferi kërkoi nga Milloshoski të vendosë nëse do t’i drejtohet si kryeparlamentar apo deputet, pasi, siç tha, si deputet ka të drejtë t’i përgjigjet në gjuhën e tij amtare.
“Deri në momentin që ju do të më drejtoheni mua si deputet, unë do të shfrytëzoj të drejtën që ma mundëson rregullorja për punën e Kuvendit, që ta përdor gjuhën time”,- theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Ndërkohë, Ilija Dimovski kërkoi që urgjentisht të miratohen ndryshime dhe plotësime në Kodin Zgjedhor, që do t’i hapte rrugë mbajtjes së zgjedhjeve lokale në fillim të muajit tetor.
“Apeloj deri te shumica parlamentare të mbështesë propozimin tonë, me procedurë të shpejt, ky ligj të vendoset në rend dite për sot, nuk është patjetër të jetë pika e parë e rendit të ditës, por të jetë e dyta, që sa më shpejt të mbarohet kjo procedurë”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Ndërsa Goran Misovski nga PRSD-ja kundërshtoi kërkesën e Dimovskit, pasi që për asnjë ligj nuk mund të ketë debat derisa nuk formohen komisionet parlamentare, ndërsa theksoi se pas 8 viteve nga foltorja me kënaqësi do t’i drejtohet kyetarit të Kuvendit.
Kryeparlamentari Xhaferi e nxori në votim kërkesën e VMRO-DPMNE-së, por ajo u hodh poshtë nga shumica parlamentare.
SANIJE KASAMI
