Maqedoni

Fillon debati për qeverinë e re, Zaev: Reforma. Zero tolerancë për krimin dhe korrupsionin

30.05.2017 18:02

Kuvendi filloi debatin për propozimet e mandatarit, Zoran Zaev, për përbërjen e kabinetit qeveritar dhe për programin për punë të qeverisë reformatore...

Përmirësimi i ekonomisë dhe standardit jetësor, reformat në gjyqësi dhe eurointegrimet do të jenë prioritet e qeverisë së re reformatore. Mandatori Zaev tha se kjo qeveri do të ketë zero tolerancë për krimin, korrupsionin dhe për shërbimet përmes lidhjeve.  
 
“Tre themele kryesore do të ndërtojë qeveria e re reformuese.  Qeveria e re reformuese do t’i përkushtohet ekonomisë dhe jetës për të gjithë; Qeveria e re reformuese do t’u përkushtohet institucioneve të fuqishme profesionale dhe drejtësi për të gjithë; Qeveria e re reformuese do t’i përkushtohet BE-së dhe NATO-s, dhe perspektivës për të gjithë. E marr këtë detyrim këtu në shtëpinë ligjvënëse, përmes të cilit do t’i marrim vendimet, para jush të zgjedhur të popullit, nga të cilët kërkoj besimin për përbërjen e qeverisë së re dhe Programit të qeverisë së re”,- deklaroi mandatori, Zoran Zaev.
 
Deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët paraprakisht kontestonin kryetarin e Kuvendin, iu përgjigjën ftesës për seancën e dytë dhe daklaratën se do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit. Veç kësaj, Ilija Dimovski tha se do të mbështesin çdo propozim të mirë të qeverisë, por edhe do të kundërshtojnë propozimet e dëmshme për shtetin. 
 
“Propozimeve të mira, për dallim nga LSDM deri tani, do t’u përgjigjemi me mbështetje. Propozimeve të këqija me kritikë të ashpër dhe kundërshtim. Korrektësisë do t’i përgjigjemi me korrektësi. Ajo që është interes shtetëror dhe nacional, edhe për ne është prioritet. Shpresojmë se edhe qeveria e RM-së do të mbështetet në këto postulate”,- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
Qasjen e këtillë të VMRO-DPMNE-së në emër të BDI-së, e mbështeti deputeti, Xhevat Ademi. Sipas tij, ky është një fillim i ri dhe Maqedonisë i duhet edhe një qasje e re opozitare.  
 
“Pikërisht sot fillon ndryshimi. Dhe ndryshimi, të nderuar të pranishëm, i pëlqen dikujt apo jo, nuk mund të bëhet pa BDI-në. Demokracia në zhvillim, siç është kjo të cilën ne e ndërtojmë, ka nevojë për opozitë konstruktive dhe unë i inkurajoj të vazhdojnë të bëjnë atë që bën sot dhe të heqin dorë nga ajo që bën deri sot”,- theksoi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.
 
Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes BESA sqaruan se mospjesëmarrja në qeveri është si rezultat i parimit të tyre për të kundërshtuar një qeveri në radhët e së cilës ka kandidatë të dyshuar për krim dhe korrupsion. 
 
“I nderuari z. Zaev, unë kam qenë i bindur se arsyeja pse ju e kishit refuzuar bashkëpunimin me ne është platforma jonë, ridefinimi. Por, sot e kam të qartë se nuk ka qenë kjo, por parimi ynë i parë që të mos ketë në qeveri persona të korruptuar dhe inkriminuar. Andaj, ju faleminderit që nuk e pranuat ofertën tonë”,- tha Zeqirija Ibrahimi nga Lëvizja BESA.
 
Ndryshe, mandatori Zaev u zotua se qeveria re do të zbatojë në tërësi reformat urgjente prioritare nga Raporti i Pribesë, si pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës. Reforma më serioze do të jetë reforma në gjyqësi, tha Zaev, i cili paralajmëroi formimin e Njësisë Speciale në Gjykatën Penale, e cila do të ketë në kompetencë lëndët që mbulon Prokuroria Publike Speciale. 
 
Qeveria e re do të ketë në fokus të posaçëm zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e standardit jetësor të qytetarëve. Qëllimi i qeverisë reformuese është që mesatarja e rritjes ekonomike gjatë këtij mandati të tejkalojë 5%-shin. 
 
Sa u përket marrëdhënieve ndëretnike, mandatori u zotua se do të mundësojë përdorimin adekuat të gjuhëve të bashkësive etnike.    
 
SHPËTIM NUREDINI